Të mërkurën protestë për përjashtimin e profesorit Bekim Bejta nga UP-ja

Prishtinë | 09 Pri 2023 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Feministe Studentore ka paralajmëruar protestë të mërkurën pranë Fakultetit të Filologjisë për përjashtimin e profesorit Bekim Bejta, i akuzuar për dhunë dhe shantazh ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Në njoftimin e lëshuar në Facebook, thuhet se protesta e paraparë të nisë nga ora 11:00, do të mbahet për shkak të shqetësimit për mospërjashtimin e menjëhershëm të Bejtës nga Universiteti.

“Profesori Bejta i angazhuar në departamentin e Gjuhës angleze, pranë Fakultetit të Filologjisë në UP, vazhdon të japë mësim aty, përkundër raportimit dhe dëshmive që i njëjti ka ushtruar dhunë sistematike në forma të ndryshme ndaj studenteve. Në raportimin ndaj tij, është edhe dyshimi për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe krime seksuale me studente. Ne, studente e studentë të UP-së dhe qytetare e qytetarë të këtij vendi jemi të shqetësuar me mospërjashtimin e menjëhershëm të Bejtës nga UP-ja, çka është duke ia mundësuar atij të kryejë edhe vepra të tjera kriminale”, thuhet në njoftim.

Përveç përjashtimit, është kërkuar edhe arrestimi i menjëhershëm i Bejtës dhe fillimi i hetimeve për kërcënimet ndaj studenteve.

“Ne, të mërkurën i kundërvihemi kësaj gjendje dhe organizohemi në solidaritet me studentet e Fakultetit Filologjik dhe kërkojmë nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ta shkarkojnë menjëherë nga pozita zyrtare si profesor i asociuar, Bekim Bejtën. Përveç kërkesës për përjashtimin e tij, ne kërkojmë edhe arrestimin e tij të menjëhershëm dhe fillimin e hetimeve për kërcënimet ndaj studenteve. Ne nuk mund të rrimë duarkryq përderisa studente e studentë janë duke u ndierë të pasigurt pikërisht në hapësirat ku ato/a do duhej të ishin të lira/ë. Ne nuk mund ta tolerojmë normëzimin dhe institucionalizim e mëtejshëm të dhunës. Andaj, ju ftojmë në protestë studente e studentë e të gjithë qytetaret/ët”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme