Të moshuarit në Shqipëri do të kenë sërish sot mundësinë të dalin deri në orën 11:00, ndërkohë që të tjerët do të qëndrojnë në shtëpi si masë parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19.
Kryeministri Edi Rama në komunikim me kryebashkiakët e zonave të gjelbra, të premten pasdite, nënvizoi se nesër sërish gjyshërit dhe të moshuarit do të kenë mundësi të lëvizin, vetëm, deri në orën 11:00.
“Domosdoshmëri për të monitoruar, jo vetëm nga Policia e Shtetit, por dhe nga ju, si kryetarë bashkie dhe me gjithë sistemin e kryepleqve që keni, lokalet, mund të tundojnë pronarët të hapin qepenat, por është katastrofë nga pikëpamja e epidemisë. Ai shembulli skandaloz, që unë e solla në vëmendje të gjithëve, për djalin që e merr malli për prindërit dhe që i infekton të dy dhe që i fut në një rrugë që dashtë zoti ia dalin, nuk duhet të ndodhë më”, theksoi Rama.
“Kush i ka prindërit më vete duhet t’i ruajë dhe ndihmojë duke i çuar ushqimet te dera, jo të futen në shtëpi e t’i përqafojnë, se sado jo njerëzore të duket kjo është e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur. Pensionistë në makina në asnjë mënyrë”, shtoi Rama.
“Është e domosdoshme që pensionistët t’i lehtësojmë, nesër është dita e tyre në gjithë Shqipërinë. Në zonat tuaja të gjelbra, do e kenë lirinë deri ne 8 e 30 edhe gjatë javës, s’do dalë njeri tjetër, do dalin vetëm ata, por jo domino edhe të tjera, sepse rrezikojnë jetën. Dy janë elementët, të moshuarit dhe lokalet. Vizitat nëpër shtëpi nuk kontrollohen me polici, por duhet vullnetarizëm për të zbatuar rregullat. Secili duhet të jetë roje i vetes”, tha Rama.