Të paktën 24 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, mes viktimave edhe fëmijë

Prishtinë | 07 Tet 2026 | 20:01 | Nga Ekonomia Online

Të paktën 24 persona kanë vdekur nga sulmet ruse gjatë natës së kaluar në pjesët qendrore dhe lindore të Ukrainës, në atë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar si një nga sulmet “më të ndyra” të Rusisë.

Zelensky ka thënë se një ndërtesë banimi në Pryluky, në rajonin e Çernihivit, u shkatërrua në një sulm që ai e cilësoi si “dhuratë për ditëlindje për Putinin”, i cili të mërkurën mbushi 74 vjet.

Sulmet ruse goditën gjithashtu qytetet Kiev, Dnipro, Kremenchuk, Zaporizhia dhe Oleksandriya, raporton BBC.

Në një postim në rrjetet sociale të mërkurën pasdite, Zelensky tha se 18 persona, përfshirë katër fëmijë, u vranë në sulmin ndaj një ndërtese pesëkatëshe banimi në Pryluky.

Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës bëri të ditur se 50 persona u plagosën në këtë sulm, përfshirë shtatë fëmijë.

Ndërkohë, dy persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën pasi sulmet ruse me raketa dëmtuan pesë ndërtesa banimi në Dnipro dhe katër ndërtesa të larta në Kremenchuk, sipas Zelenskyt.

Presidenti ukrainas tha se Rusia kishte lëshuar gjithsej 70 raketa, duke e përshkruar sulmin si një përpjekje për të goditur Ukrainën “në mënyrë të dhimbshme dhe demonstrative”.

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina kishte goditur objektiva në rajonet Perm, Samara dhe Astrakhan të Rusisë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa shtoi se “kishte kundërpërgjigje edhe në Detin e Zi”. Ai nuk dha detaje të tjera për këto sulme.

Të ngjashme