Të rinjtë polak nën moshën 26 vjeç nuk do paguajnë taksa

Prishtinë | 08 Kor 2019 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Polonisë i nevojitet rikthimi i gjithë të rinjve që kanë ikur në vendet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar në zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Për këtë arsye qeveria polake është duke shqyrtuar heqjen e tatimin mbi të ardhurat për qytetarët nën moshën 26 vjeç.

Kështu është shprehur kryeministri i vendit Mateusz Morawiecki, i cili për Financial Times, ka shtuar se, “kjo masë ka për qëllim të përmirësojë mundësitë për të rinjtë polakë, në mënyrë që ato të përputhen me kushtet e ofruara në Perëndim”, përcjell Telegrafi.

Morawiecki zbuloi se duke filluar nga viti 2004, vit kur Polonia u pranua në BE u larguan nga vendi 1.7 milionë njerëz.

Sipas gazetës The Telegraph, në 2015 në Britaninë e Madhe ishte krijuar një komunitet i madh polak që llogaritej në rreth 680 mijë njerëz, kur vetëm Krakow si qyteti i dytë më i madh në Poloni numëron 750 mijë banorë.

“Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ne kemi kërkuar shumë nga të rinjtë, por nuk i kemi ndihmuar mjaft. Punëdhënësit nuk ishin të gatshëm të rrisnin pagat e punëtorëve moshë të re, kështu që ne do të propozojmë heqjen e tatimit mbi të ardhurat”, shton më tej kryeministri polak.

Financial Times thotë se qeveria polake synon të miratojë propozimin tani në mënyrë që nga gushti të hyjë në fuqi. Kjo do të thotë që të rinjtë që përfitojnë rreth 1,670 euro në muaj do të kenë zero tatim mbi të ardhurat, ku në total projekti do të kushtoj rreth 590 milionë euro.

Shefja e Departamentit të të Ardhurave Personale në PwC me seli në Varshavë, Joanna Narkiewicz-Tarlowska, tha se masa do të ndihmonte për të adresuar mungesat e vendeve të punës.

“Polonia ka një problem me mungesën e fuqisë punëtore. ne jemi të detyruar të importojmë punëtorë nga jashtë. Kjo masë do t’i inkurajonte të rinjtë të punonin ligjërisht në vend që të qëndronin në [sektorin informal] ose të shkonin jashtë vendit. Shpenzimet janë të larta, por tregu ynë i punës ka nevojë për këtë”, tha Narkiewicz-Tarlowska.

Partia në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” e presidentit Jarosław Kaczyński ka premtuar edhe masa të tjera lehtësuese që lidhen me rritjen e ndihmës sociale apo pensioneve, por që opozita i ka denoncuar si populizim dinak në prag të zgjedhjeve të nëntorit. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme