Ilija Iviq nuk është i vetmi i ri serb në Kosovë që dëshiron seriozisht që të merret me sport, por që për këtë duhet të paguaj një çmim. Për dallim nga ai, të rinjtë tjerë që merren me tenis, biçiklizëm, futboll dhe të tjera, kanë hequr dorë nga dëshirat e tyre.
Për sportistët e rinj serbë në Kosovë, të merren seriozisht me sport nuk është e lehtë dhe as e kënaqshme, si dhe mund të sjellë pasoja negative.
Lidhur me rastin e Ilija Iviqit, 16 vjeç, nga Graçanica, në afërsi të Prishtinës, kanë reaguar organizatat e sportit në Kosovë, por edhe kreu shtetëror dhe ambasadat e huaja.
Ilija, tashmë tre vjet, si serbi i vetëm, luan për klubin e Flamurtarit në Prishtinë, ndërkaq së voni ka arritur edhe kontratën profesionale, si një nga të rinjtë e talentuar dhe në të cilët mund të llogaritet për të ardhmen, raporton REL.
Por, pasi që ka pranuar që të luaj për përfaqësuesen e Kosovës U19, ai është bërë temë e shkrimeve negative në mediet në Serbi. Njëkohësisht, nëna e tij është pushuar nga puna si “tepricë teknologjike“. Ajo ka punuar në Qendrën e edukimit kulturor në Graçanicë, institucion ky, të cilin e financon Beogradi zyrtar.
Lidhur me atë që ka ndodhur me Ilija Iviqin dhe familjen e tij, ka reaguar drejtori sportiv i klubit Flamurtari, Arbnor Morina, i cili është trajner i licencuar nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).
“Pse dikush mund të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës e dikush nuk mund të luaj futboll?”, ka pyetur Morina, duke aluduar në deputetët e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës.
“Ilija luan që moti në Flamurtar pa asnjë problem. Është pranuar në mënyrë fenomenale nga shokët e tij, të cilët kanë vetëm fjalë të mira dhe lëvdata për të, për sjelljen e tij dhe lojën e tij“, tha Morina.
Ai ka shtuar që Ilja do të vazhdojë të luaj për Flamurtarin deri në kalimin eventual në ndonjë klub më të madh, gjë që sipas Morinës, Ilja edhe e ka synim.
Megjithatë, Ilija nuk është i riu i parë serb në Kosovë që ka përjetuar përndjekje nga mediet, vetëm pse ka dashur që të merret seriozisht me sport.
Ish-kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Shkëlzen Domi, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka rikujtuar një rast të ngjashëm në vitin 2016, kur një vajzë e re serbe nga Graçanica e cila ishte shpallur si tenistja më e mirë në Kosovë, kishte marrë ftesën që ta përfaqësojë Kosovën në Fed-Cup.
Domi nuk ka dashur që t’ia përmend emrin asaj sportisteje (e njohur për redaksinë), për shkak se siç tha, dëshiron ta mbrojë nga tortura e sërishme e medieve.
“Para vendimit përfundimtar, duket se mediet e kishin kuptuar këtë dhe filluan përndjekjen e madhe kundër saj dhe familjes së saj. Kështu që, atëherë edhe ne si federatë jemi tërhequr, sepse nuk kemi dashur që të marrrim pjesë në atë përndjekje kundër saj. Më ka ardhur keq për të që përjetonte gjëra të tilla të shëmtuara dhe ato i ndodhnin në rrugë, në shkollë dhë në jetën private“, theksoi Domi.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që një klubi të ri të futbollit të femrave nga Graçanica, në prag të nënshkrimit të kontratës me Federatën e Futbollit të Kosovës, autoritetet lokale i kishin kërcënuar udhëheqësit e klubit se do të ngelnin pa punë në rast se vendosnin të bënin një hap të tillë.
Më pas, ky klub kishte hequr dorë. Klubi funksiononte në kuadër të komunës së Graçanicës.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, rikujton rastin kur në prag të pjesëmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio 2016, një biçiklisti serb i ishte ofruar bashkëpunimi, bursa dhe ndihma, në rast se ai do të merrte pjesë në garë. Prindërit e tij, pas bisedimeve ‘me të birin dhe me disa të tjerë në Serbi’, ishin përgjigjur negativisht.