Hysen Binaku u lind në Gjakovë më 2 nëntor të vitit 1944. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Ndoqi mësimet në SHLP të artit dramatik në klasën e Faruk Begollit, si dhe kreu SHLP grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pastaj vazhdoi me aktivitet teatror në teatrin amator “Emin Duraku”. Kështu mori pjesë në shumë projekte të këtij teatri, me ç’rast u dallua për role cilësore. Në sezonin 1956-57 mori pjesë për herë të parë me shfaqjen “Maçorri me çizme” në regji të arsimtarit Ilmi Kryeziu. Pra, sivjet kremton 60-vjetorin e daljes në skenë.
Kështu vazhdoi aktivitetin në teatrin amator, “E. Duraku” në 22 projekte. Pas fatkeqësisë, e cila ndodhi në të kthyer nga Festivali i Teatrove Amatore në Ferizaj ku humbën jetën 3 shokët: Shkelzen Nura, Qemajl Domi dhe Shemsedin Bejtullahu në shenjë përkujtimi inicioi mbajtjen e Revistës Memoriale: “Nura-Domi-Bejtullahi”, e cila në këtë vit “2017” shënoi 22-vjetorin.
Një vit më pas inicioi edhe festivalin e dytë për fëmijë: “Fëmijët në skenë”, i cili mbahet me ciklin e ulët në të gjitha shkollat fillore të Komunës së Gjakovës. Por për të rrumbullakuar këtë aktivitet teatror inicioi edhe mbajtjen e festivalit të komedisë në të gjitha shkollat e mesme të Komunës së Gjakovës dhe atë për 5 vjet radhazi. Në kuadër të këtij aktiviteti shënon edhe themelimin e Teatrit të Kukullave, i cili u mbajt 3 sezone. Por për shkak se regjimi serb pamundësoi mbajtjen u desh të ndërpriten.
Me themelimin e teatrit profesionist 1977 u bë pjesë e këtij teatri, ishte njëri ndër bartësit e roleve kryesore në komeditë të cilat u vunë në skenë në këtë teatër. Luajti në 73 projekte të këtij teatri. Për punën e tij mori disa çmime, ndër të cilët edhe Shpërblimi për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës.
Binaku është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Fëmijëria. Jeta e të gjithëve përbëhet nga shumë momente dhe situata që e bëjnë atë të lumtur, ose të palumtur në mënyra të ndryshme.
Nëse ne mund të ndajmë linjën e jetës sonë në disa faza, është e qartë se fëmijëria zë vend të veçantë në zemrën tonë. Ne e kryejmë këtë fazë me gjëra të tilla si koha e “manipulimit” total dhe urdhrave nga prindërit dhe të afërmit.