Tërheqja e Koresë, analistët: Dritare e hapur për negociata

Prishtinë | 16 Gus 2017 | 12:15 | Nga

Deklarata e fundit e Kim Jong Un-it, që sinjalizoi një pushim në luftën e fjalëve mes Penianit dhe Uashingtonit, i ka dhënë Shteteve të Bashkuara një dritare prej disa ditësh për të negociuar shmangien e përballjes së rrezikshme.

Kështu mendojnë shumë analistë dhe ekspertë, të cilët druhen se Amerika mund të keqinterpretojë mesazhin e Kimit, i cili tha se do të presë dhe të shohë sesi do të sillet Uashingtoni në rajon, para se të lëshojë raketat drejt ujërave në afërsi të territorit amerikan të Guamit.

Një pjesë e medieve amerikane thonë se, deklarata nga Koreja e Veriut ishte një tërheqje nga plani për Guamin, pas raprezaljeve që premtoi Donald Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis.

Por sipas analistëve, ky do të ishte një lexim i gabuar i mesazhit dhe, në një kohë tensioni kaq të lartë, kjo s’mund të jetë asgjë e mirë. Sipas ekspertëve, Koreja e Veriut ka hapur qartësisht mundësinë për negociata, pavarësisht se cili mund të jetë fundi i tyre.

Në të shkuarën, Peniani ka shfrytëzuar gjithnjë rritjen artificiale të tensionin për të kërkuar lëshime në sanksione, apo për më shumë ndihma. Analistët thonë se, pavarësisht shkëputjes së plotë të raporteve, SHBA-ja dhe Koreja e Veriut kanë kanale dytësore përmes së cilave komunikojnë, e që tani duhet të jenë në aktivitet frenetik, por për rezultatin duhet pritur ende.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme