Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar vendimin si “juridikisht të kontestueshëm” dhe të ndikuar politikisht.
Tërnava ka thënë se vendimi rrezikon të relativizojë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe ka theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike apo sakrificën e popullit për liri .
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe përgjegjësinë qytetare.
“As vendimi i sotëm, e asnjë vendim tjetër në të ardhmen, nuk mund ta tjetërsojë të drejtën tonë legjitime për të mbrojtur të vërtetën historike, dinjitetin e viktimave dhe epopenë e luftës sonë për liri dhe pavarësi, e as nuk mund ta zbehë sakrificën sublime të atyre që kontribuuan për çlirimin e Kosovës. Në këto momente të rëndësishme, si çdo herë tjetër, ne qëndrojmë palëkundshëm në mbështetje të çlirimtarëve tanë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë pjekuri qytetare dhe përgjegjësi të lartë, të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin, të jenë pranë çlirimtarëve dhe në krah të vlerave të luftës, dhe të kontribuojnë në forcimin, konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit tonë.”, ka shkruar Tërnava.