Një test gjaku mund të ndihmojë në zbulimin e rikthimit të kancerit disa muaj përpara se shenjat e sëmundjes të bëhen të dukshme në skanime, sipas një analize të re shkencore.
Testi, i njohur si “biopsi e lëngshme”, kërkon në gjak fragmente shumë të vogla të ADN-së së tumorit që qarkullojnë në organizëm, të njohura si ctDNA, dhe analizon ndryshimet gjenetike që lidhen me kancerin.
Studiuesit shqyrtuan rezultatet e dhjetëra studimeve të mëparshme dhe provave klinike mbi përdorimin e ctDNA-së.
Ata zbuluan se ky test mund të ndihmojë në vlerësimin nëse një trajtim po funksionon, në identifikimin e mutacioneve që mund t’i udhëzojnë mjekët drejt terapive të tjera dhe në zbulimin e sasive shumë të vogla të qelizave kancerogjene që mund të kenë mbetur në organizëm pas trajtimit.
Sipas studiuesve, një rritje e hershme e ctDNA-së mund t’u japë mjekëve mundësinë të ndryshojnë trajtimin përpara se përparimi i tumorit të bëhet i dukshëm në ekzaminimet standarde me imazheri.
Rikthimi i kancerit u zbulua rreth nëntë muaj më herët
Në një studim ku morën pjesë 130 pacientë me kancer të zorrëve, analiza e ctDNA-së arriti të identifikonte shenja të rikthimit të sëmundjes pothuajse nëntë muaj më herët sesa skanimet konvencionale.
Testi mund të ketë gjithashtu potencial për të ndihmuar disa pacientë që të shmangin kimioterapinë e panevojshme.
Në një tjetër provë klinike me pacientë me kancer të zorrëve, personat tek të cilët vendimet për trajtimin u bazuan edhe në analizën e ctDNA-së patën rezultate të ngjashme me pacientët që morën trajtimin standard, por një numër më i vogël prej tyre iu nënshtruan kimioterapisë.
Testi nuk është i pagabueshëm
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se biopsia e lëngshme nuk është një metodë perfekte.
Disa lloje tumoresh lëshojnë shumë pak ADN në qarkullimin e gjakut, çka do të thotë se testi mund të mos e zbulojë gjithmonë praninë e kancerit.
Një tjetër dilemë është mënyra se si duhet të veprojnë mjekët kur testi zbulon ctDNA, por skanimet ende nuk tregojnë shenja të sëmundjes.
“ctDNA mund të ndihmojë në përzgjedhjen e trajtimit më të përshtatshëm dhe në përcaktimin e momentit të terapisë për një pacient me kancer, por mënyra optimale e përdorimit të saj në praktikën klinike mbetet ende e paqartë”, theksuan studiuesit.
Në analizën e publikuar në revistën mjekësore JAMA, ata paralajmëruan gjithashtu se një rezultat negativ i ctDNA-së nuk do të thotë domosdoshmërisht se një ndryshim gjenetik nuk është i pranishëm në vetë tumorin.
Biopsia e lëngshme tashmë përdoret për disa pacientë
Testet e biopsive të lëngshme tashmë përdoren në sistemin shëndetësor britanik NHS për pacientë të caktuar me kancer të mushkërive, si dhe për analiza specifike gjenomike te disa paciente me kancer të gjirit.
Sipas NHS England, kjo metodë mund të përshpejtojë vendimmarrjen për terapitë e synuara. Për disa pacientë me kancer të mushkërive, vendimi për trajtimin mund të merret rreth dy javë më herët sesa me metodat tradicionale.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se biopsia e lëngshme ende nuk mund të zëvendësojë plotësisht skanimet, biopsitë tradicionale apo ekzaminimet e tjera. Për momentin, ajo shihet kryesisht si një mjet shtesë që mund t’i ndihmojë mjekët të zbulojnë më herët ndryshimet në sëmundje dhe të përshtatin trajtimin në mënyrë më të personalizuar. /GazetaExpress/