Tetë persona të lënduar nga aksidenti në Zabel të Ulët – Policia jep detaje

Prishtinë | 07 Qer 2020 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Tetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë sot në Zabel të Ultë të Komunës së Drenasit.

Detaje shtesë rreth aksidentit për klankosova.tv ka dhënë zëdhënësi i Policisë për Prishtinë, Daut Hoxha.

Hoxha njofton se tetë të lënduarit janë transportuar për në emergjencë në QKUK dhe se aksi rrugor Komoran-Drenas është hapur për qarkullim që nga ora 17:00.

“Rreth orës 14:45 në rrugën Drenas – Komoran në fshatin Zabel i Ulët është shkaktuar një aksident trafiku me lëndime trupore ku të përfshira në aksident ishin një automjet-kombi me udhtarë dhe një veturë, ku si pasojë e aksidentit janë lenduar tetë (8) persona të cilët janë transportuar për në emergjencë në Prishtinë”.

“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e aksidentit dhe kanë kryer procedurat e nevojshme lidhur me hetimin e shkaqeve të këtij aksidenti, prandaj deri në kryerjen e këtyre procedurave ky aks rrugor ka qenë i mbyllur për tu hapur prapë për qarkullim rreth orës 17:00”.

“Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që gjatë qarkullimit me automjetet e tyre të jenë më vigjilent dhe shpejtsinë e automjeteve ta përshtatin me kushtet e rrugës dhe shenjat e kufizimit të shpejtësisë në trafik t’i respektojnë me përpikëri. Përndryshe Policia e Kosovës vazhdon dhe do të vazhdoj ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e trafikut rrugor dhe zero tolerancë do të aplikohet në këtë aspekt, me të vetmin qëllim sigurinë më të madhe në rrugët tona dhe shmangien e aksidenteve rrugore”, deklaroi Hoxha.

Të ngjashme