“Jam tifoz i Serbisë, pasi është edhe nga Ballkani, jemi të lidhur me futbollin serb”, kështu tha Konstandin Grillo mbrëmë për “Ora News”. Deklarata ka ngjallur reagime të shumta, në opinionin mbarë shqiptar. Drejtori i sportit në RTSH, Pano Xhixho, duke treguar se ende nuk i ka dëgjuar vetë ato që tha në të vërtetë Grillo, konfirmoi se do të vazhdojë të komentojë në RTSH. Xhixho gjithashtu tha se në vitin 2018 gjithsekush ka të drejtën që të mbështesë një ekip.
Ndoshta askujt nuk i ka shkuar në mendje që një shqiptar mund të bëjë tifo për kombëtaren e Serbisë në kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Por, komentatori i njohur i televizionit publik shqiptar, Konstandin Grillo, ka deklaruar publikisht në ekranin e “Ora News” se në Rusi do ta mbështesë Serbinë, vendin që këmbënguli dhe luftoi kundër Kosovës që të mos pranohet në UEFA e FIFA, pa përmendur ato që kanë ndodhur gjatë historisë.
“Jam tifoz i Serbisë, normalisht edhe me Holandën, por mungon Holanda dhe jam një tifoz i Serbisë, pasi është edhe nga Ballkani, jemi të lidhur me futbollin serb, unë jam tifoz i Zvezdës që kur kam qenë fëmijë”, ishin fjalët e Kosta Grillos të televizionit publik shqiptar, që ka ngjallur reagime të shumta.
I kontaktuar nga Gazeta Express, drejtori i sportit në RTSH, Pano Xhixho, çuditërisht tha se ende nuk e ka dëgjuar në të vërtetë atë se çfarë ka thënë Grillo, teksa shtoi se nuk mund të marrin masa pasi Konstandin është bashkëpunëtor i jashtëm.
“Së pari duhet sqaruar se ai është një bashkëpunëtor i jashtëm. Është një komentator shqiptar që ka qenë kaherë bashkëpunëtor i Radio Televizionit Shqiptar, jo vetëm sot, por ndër vite. Po e them sërish, nuk është punonjës i RTSH-së, është bashkëpunëtor i jashtëm. Nuk kemi mundësi ta mbulojmë pagesën dhe për atë e thërrasim kohë pas kohe”, deklaroi Xhixho.
“Është e vështirë të komentoj për diçka që s’e kam dëgjuar. Unë nuk kam dëgjuar ende dhe me gjithë respektin, s’kam ndonjë koment që mund të bëj. Duhet ta dëgjoj vet që të komentoj”, shtoi ai.
Sido që të jetë, Xhixho thotë se nëse Grillo e ka thënë atë, është mendim sportiv dhe ndoshta nuk duhet të ketë shumë ndikim.
“Por, unë them se sot, në vitin 2018, gjithsekush ka të drejtën e vet të mbështes një ekip, por pa e dëgjuar edhe njëherë vet nuk mund të flas”, u shpreh Xhixho.
Por, a do të vazhdojë të komentojë Grillo në RTSH?
“Nuk kemi një kontratë aktuale, që t’ia ndërpresim”, u përgjigj Pano.
“Nëse unë plotësoj numrin e komentatorëve, nuk besoj se do ta thërras, nëse si Radiotelevizion i plotësoj”.
“Por, nëse më duhet një komentator, atëherë do ta thërras, pavarësisht deklaratave. Ne aktualisht kemi të plotësuar numrin e komentatorëve”, theksoi mes tjerash për Gazetën Express Pano Xhixho.