Njëmbëdhjetë vjetori i Pavarësisë së vendit ka bërë bashkë presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Thaçi dhe Haradinaj në Prekaz kanë bërë homazhe e kanë vendosur kurora lulesh në kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Kreu i shtetit nuk e shoqëroi kreun e ekzekutivit gjatë vizitës që ky i fundit bëri në kullën e Jasharajve.
Por nga Prekazi, Thaçi vlerësoi sakrificën e familjes Jashari në luftën për liri dhe pavarësi.
Ai tha se Adem Jashari dhe familja e tij janë bazament i lirisë dhe të ardhmes euroatlantike të vendit.
“Sot jemi bashkë me kryeministrin Haradinaj, kryetarin e Skenderajt Jasharin dhe gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar për të bërë nderimet shtetërore komandantit legjendar dhe bashkëluftëtarit tonë”.
“Adem Jashari dhe familja e tij janë bazament i lirisë dhe pavarësisë dhe të ardhmes euroatlantike të shtetit të Kosovës”.
“… nderime dhe respekt të përjetshëm komandantit legjendar, familjes së tij dhe gjithëve dëshmorëve të kombit”, tha Thaçi.