Thaçi fton partitë parlamentare në dialog me Serbinë, thotë se është interes shtetëror

Prishtinë | 02 Kor 2017 | 15:10 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur të shkojë nesër në Bruksel për t’u takuar me shefin e shtetit serb, Aleksander Vuçiq.

“Nesër, në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Mogerini dhe presidentin e Serbisë, do të diskutojmë dhe shkëmbejmë idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdojmë dialogun në fazën e re dhe objektivat që synojmë të arrijmë në kuadër të procesit të normalizimit”, ka njoftuar Presidenti Thaçit.

Kështu, ky takim shënon edhe fillimin e ri të dialogut në nivel presidentësh. Ky format i dialogut është kundërshtuar nga LDK-ja dhe NISMA për Kosovën. Sidoqoftë, Thaçi i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, duke e quajtur këtë proces si interes shtetëror.

“Duke marrë në kosideratë detyrat e shumta që i presin institucionet e reja që duhet të krijohen pa humbur kohë, ftoj për untitet të gjitha partitë politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha çështjet e interesit shtetëror. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pikërisht një çështje prioritare e interesit shtetëror, prandaj unë do të punoj me këmbëngulje që të jemi të bashkuar si institucione shtetërore dhe parti poltike parlamentare pa përjashtim”, ka shtuar ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një reagimi kishte kërkuar nga Presidenti Thaçi të mos bisedojë me Serbinë në nivel Presidentësh me arsyetimin se një hap i tillë po bëhet për interesa personale të Thaçit.

Edhe njëri prej udhëheqësve të NISMA-s për Kosovën, Jakup Krasniqi, kishte thënë se nuk duhet që Thaçi të jenë udhëheqës i dialogut me Serbinë me arsyetimin se nuk i besohet atij dhe Vuçiqit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme