Thaçi: Kosovarët e gjetën në Kukës ngrohtësinë e vatrës shqiptare

Kukës | 09 Nën 2017 | 15:23 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Pallatin e Kulturës në Kukës ka dekoruar qytetarët e Kukësit me medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Presidenti Thaçi ka thënë se është në Kukës për të shprehur falënderimin e madh për të gjithë qytetarët e Kukësit, të cilët me zemërgjerësi dhe bujari të pakrahasueshme strehuan rreth 500 mijë vëllezër dhe motra të tyre nga Kosova, të shpërngulur dhunshëm në vitet e luftës.

“Në periudhën më kritike të shqiptarëve të Kosovës, Kukësi i ri, Kukësi i vogël në dukje u bë Kukësi i madh, i hapur, i dashur dhe thellësisht bujar e fisnik”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sukseset e NATO-s e bënë edhe më të egër politikën antishqiptare të Beogradit, i cili filloi spastrimin etnik përmes vrasjeve, ndjekjeve, dëbimeve dhe gjenocidit.

“Popullatën e paarmatosur, gra, burra, pleq dhe fëmijë i larguan me forcë nga vatrat e tyre në drejtim të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Në Kukës zunë vend rreth gjysmë milioni të dëbuar. Falë solidaritetit, dashurisë dhe ndjenjës së pastër atdhetare, kosovarët e dëbuar në Kukësin tuaj gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare dhe me durim pritën përfundimin e luftës”, shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se pas një historie të gjatë të përpjekjeve për liri, Kosova më në fund kishte krijuar organizatën më të rëndësishme politike dhe ushtarake, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, guerilen më të suksesshme të shekullit që shkoi, për të jetësuar idealin dhe ëndrrën e lirisë.

“Për herë të parë Kosova arriti që të jetë aktore në arenën ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Për herë të parë Kosova kishte në anën e saj miq të fortë ndërkombëtarë, botën e vlerave demokratike. Ishte pikërisht ky avancim politik i Kosovës që arriti të prodhojë dokumentin ndërkombëtar me të cilin bota demokratike angazhoi aleancën më të fuqishme të globit, NATO-n, për të intervenuar ushtarakisht mbi caqet ushtarake dhe policore serbe”, ka thënë presidenti Thaçi.

Banorët e Kukësit dhe lumjanët në përgjithësi, presidenti Thaçi ka thënë se janë pjesë e përbashkët e historisë së Kosovës.

Ai ka thënë se edhe ata i përjetuan ato që përjetonin vëllezërit dhe motrat e tyre nga Kosova.

“Gjatë viteve ‎1998-1999, Kukësi u bë bazë e UÇK-së. Qyteti i Kukësit përjetoi granatimet e ushtrisë serbe. Shumë kuksianë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si hasjanët dhe tropojanët”, u shpreh presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se Kukësi dhe Prizreni patën fatin politik, historik dhe gjeografik të ndarjes me kufi shtetëror të padrejtë për një shekull të tërë. Porse, në këtë ndarje dhe izolim, sipas presidentit Thaçi, përmes Radio Kukësit ishte gjetur një formë e komunikimit midis Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në Radio Kukës u transmetua historia e ndaluar e Kosovës”, theksoi ai.

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ka thënë se kjo është një ditë e shënuar për banorët e Kukësit për shkak të vlerave të larta dhe ndjeshmërisë që kanë treguar në vitet e luftës në Kosovë.

“Thaçi ishte në Kukës si lider lufte, si luftëtar i lirisë, por sot ka ardhur si President i Kosovës për të na treguar se Kosova dhe kosovarët nuk na harrojnë”, ka thënë Shehu.

Duke kërkuar mbështetjen e dy qeverive shqiptare, Shehu ka propozuar që të krijohet “Muzeu i Kujtesës”, për t’i përkujtuar ditët e vështira që kosovarët dhe kuksianët kanë kaluar së bashku.

Në shenjë falënderimi për bujarinë kuksiane, presidenti Thaçi ka ndarë medaljen “Urdhri i Lirisë” për qytetarët e Kukësit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme