Sot presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të udhëtojë për në Bratislavë për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të “GlobSec”, në të cilën do të diskutohet për të ardhmen e dialogut Kosovë – Serbi.
Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Njohës të çështjeve politike theksojnë se ky takim është tentativë për ta mbajtur gjallë idenë e ndryshimit të kufijve.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq do të takohen gjatë ditës së nesërme në kryeqytetin e Sllovakisë. Në një konferencë globale, që do të zërë vend në Bratislavë, në të njëjtin panel presidenti Thaçi dhe Vuçiq do ta kenë mundësinë të diskutojnë për të ardhmen e dialogut Kosovë – Serbi.
Nga Presidenca kanë konfirmuar për “Zërin” se presidenti Thaçi pritet të takojë edhe diplomatë tjerë, pjesëmarrës në këtë konferencë.
“Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi nesër do të udhëtojë për në Bratislavë të Sllovakisë, ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga ‘GlobSec’. Konferenca do të mbahet pasnesër, e premte, dhe në panel i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Aty do të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi dhe për të ardhmen e tij”, ka thënë këshilltari i presidentit Ardian Arifaj.