“The Sun”: Mafia shqiptare trafikon fëmijë në Britani

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Tabloidi britanik “The Sun” ka publikuar një artikull së fundmi ku i jep zë fenomenit të trafikimit të të rinjve shqiptarë në Britani dhe futjes së tyre në rrjetet mafioze të drogës, transmetoin Koha Jonë.

Media prestigjioze sjell dëshmitë e disa të rinjve shqiptarë që kanë hyrë ishull në mënyrë ilegale dhe janë bërë pjesë e grupeve të rrezikshme që operojnë në vend.

I detyruar nga një baba i dhunshëm të lypë në rrugë që në moshën 11 vjeçare, i trafikuar në Britani nga një grup shqiptarësh në moshën për të duruar punë skllavëruese. Jeta e shkurtër e Samet Matës është shumë traumatizuese nga sa shumë njerëz mund të imagjinojnë. Tashmë në moshën 18 vjeçare, ai po përballet me vendimin e autoriteteve për t’u deportuar në Shqipëri.

Sameti mbërriti në Bristol 3 vjet më parë, i fshehur në një kamion për të punuar në një nga industritë skllavëruese të ditëve moderne. Fati i tij ndryshoi kur ja doli të arratisej nga personat që e trafikuan dhe aktualisht ndodhet në një vend të sigurt, pranë një familje birësuese.

Por jo të gjithë shqiptarët e rinj që mbërrijnë në Britani janë po kaq me fat. Një numër i pacaktuar prej tyre bien në “kthetrat” e jetës së krimit.

Endrit Vishaj hyri në Britani ilegalisht në moshën 16 vjeçare në Britani, i fshehur në një kamion që e çoi në Midland. Tashmë ai po vuan një dënim prej 4 vitesh e 4 muajsh në burg për trafikim të kokainës. Vishaj u ndalua në një parkim makinash duke drejtuar një BMW, brenda së cilës policia gjeti 2 kg kokainë të pastër me vlerë 200 mijë paund dhe 55 mijë paund cash.

E njëjta gjë ka ndodhur me 20 vjeçarin Klevis Drazhi, i cili u kap me 11 doza kokainë në Londër dhe u dënua me 18 muaj burg. Ai deklaroi para gjykatës se u detyrua nga një anëtar i mafias shqiptare të shiste drogë pasi kishte hyrë ilegalisht në Britani.

22 vjeçari Alfred Hamzaj u dënua me 8 muaj burg pasi u kap me 4 kg kanabis sativa në Dewsbury të West Yorkshire. Ai rrëfehet se i hyri rrugës së krimit pasi humbi punën e tij në një lavazh makinash për shkak të statusit të tij si emigrant ilegal.

Një numër i madh të rinjsh shqiptar, si këta që përmendëm më lart, po trafikohen çdo ditë në Britaninë e Madhe me premtimin se do të fitojnë mijëra paund nga shitja e lëndëve narkotike për grupe të caktuara.

“The Sun” shkruan se një numër shokues prindërish në Shqipëri po përpiqen që fëmijët e tyre adoleshent të trafikohen në Britani që t’iu bashkohen bandave të krimit të organizuar që kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut të kokainës.

Të dhëna nga Gjykatat tregojnë për një numër të madh të rinjsh shqiptarë që janë vënë nën akuzë në qytete të ndryshme të Britanisë pasi janë kapur me sasi të mëdha droge që arrijnë deri në 200 mijë paund.

Sipas Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit, Shqipëria është një vend me një linjë të konsoliduar të trafikimit të qenieve njerëzore në Britaninë e Madhe. 947 raste janë referuar në vetëm në vitin 2018, një rritje kjo me 50% që nga viti 2015.

Specialisti ndërkombëtar për zbatimin e ligjit, Steve Harvey tregon se pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë trafikohen në bashkëpunim me prindërit e tyre dhe me premtimin për fitime të mëdha nga ana e trafikantëve. Në disa raste anëtarët e familjes janë përgjegjës direkt për rekrutimin dhe shfrytëzimin e tyre. Disa fshihen në kamionë, ndërsa të tjerë sigurojnë pasaporta falje dhe hyjnë në ishull me makinë ose tragete.

Burime policore kanë paralajmëruar se shqiptarët që hyjnë në masë ilegalisht kanë siguruar një forcë pune të gatshme për grupet kriminale. Të njohur si “Mafia Shqiptare”, grupet punojnë në bazë të kodeve tradicionale të “Besës” dhe Kanunit.

Në vitet e fundit në Britani janë arrestuar dhe burgosur disa krerë të grupeve kriminale që trafikojnë drogë. Shqiptarët tashmë përbëjnë numrin e dytë të të huajve në burgje me 760 persona pas hekurave, 433 prej të cilëve janë dënuar për akuza të lidhura me drogën, duke u renditur kështu pas polakëve.

Grupe të fortësh, shpesh herë të armatosur, promovojnë stilin e tyre të jetesës te të rinjtë në Shqipëri.

Mes tyre është dhe “Hellbanianz”, një grup rruge i djemve shqiptar që operon në jug të Londrës. Ata përdorin rrjetet sociale për të tërhequr rekutë të rinj, dërgojnë mesazh ku mburren me sukseset e tyre me para, makina, cigare, femra dhe bizhuteri.

Çdo javë gangsterë shqiptare mbushin faqet e para të gazetave pasi janë kapur duke shitur drogë apo trafikuar sasi të mëdha kokaine, direkt nga Europa. Kokaina tashmë ka arritur çmimin më të ulët nga viti 1990 dhe cilësinë më të lartë prej një dekade.

Mijëra shqiptarë hynë në Britani në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, ku shumë prej tyre deklaronin se ishin kosovarë. Disa prej tyre filluan punë në dyqanet e seksit në Londër për t’u forcuar më tej duke kaluar tek trafikimi i njerëzve, armëve dhe drogës në ishull. Ata gjithashtu kanë nisur të trafikojnë dhe kanabis, të cilin e prodhojnë vetë dhe ku punojnë dhjetëra të rinj si skllevër. Tashmë kanë penetruar në tregun 5 miliardë dollarësh të kokainë në Britani, duke e krijuar lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine.

Disa familje shqiptare i dërgojnë fëmijët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera dhe për arsye të mira. Ata duan t’iu japin atyre mundësinë e një edukimi të mirë dhe një të ardhme.

Por kjo ka krijuar një treg fitimprurëse për bandat e kontrabandës, të cilët iu marrin familjeve deri në 15,000 paund për të kaluar fëmijët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Një shqiptar 23-vjeçar pagoi 5,000 euro për t’u kontrabanduar në Britani të Madhe, ku ai dëshironte të studionte dhe të gjente një vend pune. Në pamundësi për të mbijetuar financiarisht, ai filloi të shiste kanabis dhe sasi të vogla kokainë për një bandë, por u kap dhe u deportua përsëri në Shqipëri.

Tani me një rekord kriminal dhe kufizime në të drejtën e tij për të udhëtuar, e ardhmja duket e zymtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme