Gjykata Themelore e Prishtinë ka themeluar Divizionin e veçantë për kontestet lidhur me investitorët e jashtëm që do të funksionojë në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Agim Kuleta, këshilltar i Ministrit të Diasporës, Valon Murati, duke e quajtur këtë lajm të mirë për investitorët nga diaspora.
Ai ka shkruar se duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me investitorët nga diaspora, një prej problemeve kyçe që e kanë adresuar ata është pikërisht stërzgjatja e kohës së trajtimit të lëndëve të tyre.
Lidhur me këtë shqetësim, ai ka vazhduar se nga ana e ministrit të Diasporës, është njoftuar edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili ka reaguar shumë pozitivisht.
“Themelimi i një divizioni të veçantë për t’i trajtuar këto raste nënkupton eliminim të një barriere të madhe në funksion të tërheqjes së investimeve nga jashtë. E rëndësishme tash mbetet funksionimi efikas i tij”
“Me këtë rast, dua t’i inkurajoj investitorët nga diaspora që të fillojnë ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm gjyqësor për t’i adresuar rastet e tyre”, ka shkruar Kuleta.