Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se mbrëmë gjatë natës janë thyer zyrat e këtij subjekti politik në Vushtrri.
“Aty janë vjedhur kompjuterët, televizori, por çka e bën me të dyshimtë këtë akt është fakti se janë vjedhur dokumente të zyrës dhe janë lënë mbishkrime”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Sipas njoftimit këto sulme po ndodhin pikërisht në kohën kur Lëvizja është subjekti i parë në vend dhe fitorja e saj po i pret zgjedhjet e ardhshme.
“Thyerja e zyrave të një subjekti politik është sulm politik. Pushteti që po dështon përditë me qeverisje, u është kthyer atyre që di më së miri: veprimeve të dhunshme të natës”, theksohet në njoftim.
Vetëvendosje më tej thotë se “këto sulme janë metodat dhe taktikat e vetme të pushtetit që është kundërshtari kryesor i Vetëvendosjes.
Kjo lëvizje fton organet e drejtësisë ta zbardhin këtë rast si dhe të sqarojnë sa më shpejt rrethanat dhe motivet.