“Ti je luledielli” mbledh 60 mijë euro, blen pajisje për Pediatrinë

Prishtinë | 31 Tet 2018 | 13:54 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përmbyllja e fushatës humanitare “Dardani je veshë me diell” ka mbledhur në oborrin e Repartit të Onko-Hematologjisë figura të njohura për të kumtuar lajmin për blerjen e pajisjes për matjen e metotrexatit në gjak, paisje kjo e cila kishte munguar në këtë repart.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se është i lumtur që kjo fushatë po përmbyllet me sukses derisa premtoi investime në shëndetësi, raporton Ekonomia Online.

“Ne ju themi faleminderit për këtë punë të mirë që keni bërë, që keni realizu me mundësinë që pajisjet e nevojshme t’ia dorëzoni klinikës këtu, dhe të jemi dëshmitarë që qasja ndaj pacientëve do të jetë profesionale. Këtë veprim tuajin e çmojmë. Ne e kemi rritur buxhetin për shëndetësi për afër 80 milionë euro dhe kemi vepruar në disa drejtime sa i përket çështjeve të shëndetësisë… Kam pasur pak skepticizëm për këtë projekt, mirëpo gjithçka po përmbyllet me sukses”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se aparatura që dorëzohet sot ka rëndësi të veçantë derisa premtoi që do të punohet që pacienti të jetë gjithmonë në qendër në mënyrë që t’i ofrohen shërbime sa më të mira.

“Kjo iniciative na jep shumë kurajo. Në këtë tentativë janë bashkuar edhe shumë njerëz të tjerë siç është edhe Lorik Cana. Ky është një projekt që ka peshë reale, është aparaturë që ka vlerë reale, është donacion që ngrit cilësinë e shërbimit në Kosovë. Është donacion që na bënë më shumë të përgjegjshëm. Jemi në përpjekje ta ndërrojmë shëndetësinë në Kosovë ta vendosin pacientin në qendër. Ne kemi mjaft mjekë të mrekullueshëm në Kosovë dhe kemi përkushtim profesional. Kemi edhe miq që na bëjnë të kuptojmë që kemi një përgjegjësi të madhe”, deklaroi Ismaili.

Anita Haradinaj, ambasadore e fushatës “Dardani je veshë me diell” u shpreh e lumtur me përmbylljen me sukses të fushatës.

“Më vjen mirë që nuk kemi dështuar, e kemi përmbyllur me sukses. Kur kemi ardhë këtu unë e Albana, jemi dukë ndoshta ‘qesharake’, mirëpo sot gjithçka po mbyllet me sukses”, tha ajo.

Albana Osmani, drejtuese e Fondacionit jofitimprurës “Ti je luledielli”, ka shprehur kënaqësinë që edhe me mbështetjen e shtetit të Kosovës po përmbyllin me sukses Fushatën Humanitare “Dardani je veshë me diell” në ndihmë fëmijëve që janë shtruar dhe po kurohen në pavijonin e Onko-Hematologjisë në QKUK.

“Duke plotësuar nevojat e këtij pavijoni përmes shitjes së 3 mijë bluzave dhe duke ngritur fondin 60 mijë euro u blenë pajisjet që mungonin në spital për fëmijët me kancer dhe leukemi”, ka thënë Osmani, për Ekonomia Online.

Ajo tha se do të vazhdojnë me projekte e fushata të tjera me qëllimin që të ndihmohen ata që kanë nevojë më së shumti.

“Nëna Shqipëri dhe shqiptarët kudo, po ngriten për bamirësi për të përkrahur kauzën për bamirësi. Unë gëzohem që gjatë këtij rrugëtimi shpresoj që do të jesh në anën tonë Ministër i Shëndetësisë”, tha ajo.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku, tha se ardhja e kësaj pajisje do të  ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve për pacientët.

“Me kontributin tuaj ju keni ndihmuar që këta fëmijë të kenë shërbim cilësor. Nëse me këtë kemi arritur të krijojmë buzëqeshje në fytyrën e fëmijëve dhe rritje të shpresave të prindërve atëherë gjithçka ia vlen”, deklaroi Telaku.

Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Lorik Cana, dhe drejtori i Gjirafës, Mergim Cahani, mbështetës të kësaj fushate, u shprehën të lumtur për përfundimin e projektit dhe premtuan mbështetje të mëtutjeshme.

Të ngjashme