As Kadare as Rushdie. Nobelin e radhës e fitoi një dramaturg norvegjez. Që të jem i sinqertë, unë nuk e njoh. Hulumtova për të. Nuk gjeta shumë informacione, jo ndonjë biçim ndikimi në letërsi për të dalë para Rushdies apo Kadaresë. “Ibseni i ri”, ironikisht, fitoi para të vjetrit, dramaturgut klasik impakti i të cilit qe evident në dramën moderne. (!)
Sidoqoftë, njashtu si Eurovisioni që është prej kohësh festival kiç, edhe Nobeli (dikur i lakmuar dhe i fituar nga mjeshtër letrarë) është ndotur nga lymi kontrovers politik e koniunktural – vite më parë zotërinjtë suedezë, me shije të hollë, denjuan ta “rehabilitojnë” proserbin shovinist austriak, pastaj ndanë nobel për snobistë të ndryshëm, herë-herë pa kurrfarë motivi artistik-letrar por pse “i thanë të pathënat…”
Përzgjedhje dhe motivacione të tilla janë arsyetime vulgare; e dëmtojnë letërsinë dhe i japin hov edhe më të madh kiçit e shijes së keqe – tre-katër nobelistët e fundit, fjala vjen, janë harruar, edhe ky i sotmi shpejt do të harrohet (kur të kenë mbaru “liket” nga leximi i tij në plazh) për ta pritur tjetrin…
Por letërsia është eternale! Ajo nuk diktohet as nga Nobeli, as nga ndere tjera që bëhen sipërfaqësisht. Ajo është e tejkohshme dhe e gjen kurdoherë lexuesin e vet si me, si pa, Nobel!