Ministria e Punëve të Brendshme e Italisë ka nxjerrë një vendim me të cilin ndalon ardhjen e tifozëve të Napolit më 29 tetor në Torino kundër Juventusit.
Tifozëve të Napolit nga sezoni i kaluar u ndalohet udhëtimi si mysafirë në Torino, ndërsa vendimi është zgjatur edhe për derbin e këtij sezoni të dy rivalëve. Si arsye theksohet rivaliteti i madh midis dy klubeve të cilat në të kaluarën kanë shkaktuar konflikte të mëdha, kështu që nga MPB e Italisë theksohet se për qëllime të “sigurisë publike” ndalesa vazhdon, raportojnë mediat italiane.
“Për ndeshjen Juventus – Napoli, e cila është planifikuar për 29 tetor në orën 20:45 në Torino, është ndaluar shitja e biletave për banorët e rajonit Campania. Përveç kësaj, do të mbyllet edhe tribuna veriore, e cila zakonisht përdoret për mbështetësit e ekipit mysafir. Masat janë marrë me rekomandim të Këshillit për sport të MPB-së. Qëllimi është për të mbrojtur sigurinë publike dhe sigurinë e qytetarëve nga rreziqet që lidhen me rivalitetet e mëdha mes dy klubeve, e cila në të kaluarën ka çuar në konflikte”, thuhet ndër të tjera nga Ministria e Punëve të Brendshme të Italisë.