TIKA dhe Komuna e Prishtinës pajisin me inventar shkollën fillore “Elena Gjika”

Prishtinë | 26 Sht 2018 | 13:35 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëfinancim me Komunën e Prishtinës inauguruan projektin “Rinovimi dhe pajisja me inventar e shkollës ‘Elena Gjika’”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kujtuar se ky nuk është bashkëpunimi i parë me TIKA-n dhe tregoi se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë, me njoftimin se vitin 2019 do ta ndërtojnë Qendrën për autizëm, raporton Ekonomia Online.

“Nuk është hera e parë që përurojmë me TIKA-n dhe as fusha e arsimit nuk është e vetmja fushë. E kemi projektin e madh vitin e ardhshëm për qendrën e parë për autizëm dhe fëmijët me sindromën Down”.

“Kjo është shenjë e miqësisë që kemi ndërtu me shtetin e Turqisë. Asnjëherë nuk kam marrë përgjigje negative nga TIKA sa herë kam kërku”.

“Si komunë e Prishtinës do të rinovojmë edhe fushën e sportit dhe oborrin e shkollës ‘Elena Gjika’. Shpresojmë që nga tri ndërrime ta kthejmë në dy ndërrime”.

Drejtori i shkollës, Fisnik Thaçi, tregoi për përfitimet e kësaj shkolle brenda një viti e gjysmë, raporton EO.

“Me ardhjen e udhëheqjes së re në komunën tonë, kanë ardhur edhe shumë ndryshime të reja duke filluar nga çerdhet, pastaj u pajisëm edhe me mjete të reja shkollore. Pas një viti e gjysmë, shkolla ‘Elena Gjika’  ka ndryshuar rrënjësisht. U rinovua tërësisht”.

Drejtor i DKA-së në Prishtinë, Junuz Salihaj, ka thënë se duhet pasur kujdes më të shtuar për shkollat në Kosovë, pasi, sipas tij, ato jo çdo herë mbahen mirë.

“Është shkollë me traditë, ne po dojmë me vazhdu këtë traditë me nxënësit e Prishtinës”.

“Ky investim na obligon neve që ta ruajmë këtë investim. Kam vërejtje shumë serioze se në shumë shkolla tona nuk ndodh kjo. Duhet ta ruajmë sikur shtëpinë tonë, sepse e kemi për fëmijët tanë”.

Ambasadorja turke, Kivilcim Kiliç, tha se shpreson që pas këtij donacioni, nxënësit do të kenë kushte më të mira për arsim.

“Shpresoj që pas këtij donacioni, nxënësit të kenë kushte më të mira për arsim. Nxënësit e ndërtojnë ardhmërinë e Kosovës”.

Kurse ka njoftuar se do të ketë edhe renovime të tjera, në çerdhe në Mamushë, Drenas, si dhe investime në Podujevë.

        

Të ngjashme