Tom Hardy e konfirmon që do të luajë në vazhdimin e “Venom”

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Tom Hardy e ka konfirmuar zyrtarisht se do të kthehet për vazhdimin e ardhshëm të filmit “Venom”.

41-vjeçari luajti në filmin e vitit të kaluar si gazetari Eddie Brock, i cili shndërrohet në krijesën monstruoze të bazuar në karakterin e Marvel Comics me po të njëjtin titull, pasi trupi i tij bashkohet me një formë të jetës simbiotike jashtëtokësore.

Producentja Amy Pascal zbuloi për Fandango se aktori britanik i nominuar për çmimin Oscar do të luajë në vazhdimin e hitit kinematografik, në të cilin gjithashtu luajtën Michelle Williams dhe Riz Ahmed.

“Mund të them se Tom Hardy do të kthehet, duke e luajtur në mënyrë madhështore atë karakter si askush tjetër. Kur mendoni për Venom, kurrë nuk do të mundë ta mendoni askënd tjetër përveç Tom Hardyt të ulur në atë vaskë me karavidhe. Dhe sapo e shihni Tom Hardyn ta luajë këtë karakter, kjo është e gjitha që duhet ta dini”, shpjegoi ajo.

Ajo gjithashtu theksoi edhe mundësinë që Spider-Mani i Tom Holland të paraqitet në “Venom 2”, shkruan KOHA Ditore.

“Të gjithë do të donin ta shihnin këtë”, tha Pascal. “Nuk i dihet, një ditë kjo mund të ndodhë. Mund të them se e kemi pasur një partneritet fantastik dhe nuk i dihet se çfarë do të ndodhë. Kemi shumë rrëfime për t’i treguar për Spider-Manin, në çdo aspekt. Kemi plane të mëdha për Tom Holland që të jetë pjesë e gjithçkaje”.

Filmi i parë i “Venom” mori kryesisht kritika negative nga kritikët, por ishte një nga filmat më fitimprurës të vitit 2018, duke i inkasuar më shumë se 850 milionë dollarë në biletaritë botërore.

Vazhdimi ishte paralajmëruar në skenën e fundit të filmit (post-credit), kur karakteri i Hardyt Eddie Brock e interviston vrasësin e dënuar Cletus Kasady, të luajtur nga Woody Harrelson, në burg.

“Kur të dal nga këtu – dhe do të dal – do të ketë masakra”, premtoi Kasady.

Adhuruesit spekuluan se ky rresht i tij tregon se Harrelson do ta luajë Carnage – njërin nga keqbërësit më të mëdhenj të “Venom” në serialin e stripave – dhe atë në vazhdimin e ardhshëm.

Të ngjashme