Tragjedi në Spanjë: Mbytet një vajzë britanike 4-vjeçare në pishinën e një hoteli
Një vajzë britanike katërvjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se u mbyt në pishinën e një hoteli në ishullin turistik të Lanzarotes, në Ishujt Kanarie.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 të së shtunës, më 20 qershor, në një hotel në zonën turistike të Playa Blanca.
Pas alarmit të dhënë, në vendngjarje u dërguan ambulanca, forca policore dhe një helikopter i shërbimeve të emergjencës. Vajza u nxor nga pishina me shenja mbytjeje dhe kishte nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, transmeton Klankosova.tv.
Sipas autoriteteve, një infermiere që komunikonte me rojën e pishinës përmes telefonit konstatoi se fëmija kishte pësuar arrest kardiak dhe e udhëzoi atë të fillonte menjëherë procedurat e reanimimit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të rojës së shpëtimit dhe ekipit mjekësor që mbërriti në vendngjarje, vajza nuk mundi të shpëtohej dhe u shpall e vdekur.
Autoritetet spanjolle kanë hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Hetimet po udhëhiqen nga Garda Civile.