Transparenca dhe llogaridhënia- instrument kyç për një sistem të qëndrueshëm farmaceutik

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 14:24 | Nga

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë ku u bë prezantimi i hulumtimit: “Qeverisja e Mirë -Transparenca dhe llogaridhënia në sistemin farmaceutik në Kosovë”.

Hulumtimi i kryer nga OBSH përmes ekspertëve të pavarur të farmacisë dhe me mbështetjen e UNDP-së, si dokument u është dedikuar politikë – bërësve dhe hisedarëve të preokupuar me një interesim në përmirësimin e Qeverisjes së mirë në sistemin farmaceutik.

Hulumtimi është kryer përmes një instrumenti për vlerësimin e transparencës dhe llogaridhënies së Sistemit Farmaceutik për të ndihmuar vendet me vlerësimin e disponueshmërisë publike të dokumentacionit kyç që lehtëson llogaridhënien e sistemit farmaceutik.

Dokumenti, gjithashtu, ka për qëllim që të përcaktojë pikat e forta dhe të dobëta; për të informuar për përcaktimin e prioriteteve; për të zhvilluar intervenime në politikat e shënjestruara dhe për t’u përdorur periodikisht për të përcjellë përparimin dhe rezultatet.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se duke qenë që sektori farmaceutik është një nga sektorët më të rëndësishëm, mirëpret kontributin dhe hulumtimet të cilat kanë për qëllim përmirësimet në këtë sektor duke filluar me planifikimet në furnizim, hallkën e distribuimit të barnave deri te pacienti dhe fuqizimin e transparencës e llogaridhënies së sektorit, me qëllim të sigurimit të një stabiliteti në këtë sektor.

Ai tha se me mundësitë aktuale, Kosova nuk e ka luksin që të mbulojë të gjitha kërkesat e pacientëve për barna, kështu që përmirësimet në të gjitha nivelet, do të mundësonin që sektori të funksionojë më mirë dhe në këtë aspekt, rezultatet pozitive janë evidente sidomos në vitin e dytë të mandatit të tij.
Koordinatori për Zhvillim në kuadër të Agjencive për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, z. Andrew Russel dhe se ky agjencion po punon në arritjen e synimeve të qëndrueshme zhvillimore (SQZH) që nënvizojnë rolin kritik të qeverisjes në të gjithë sektorët përfshirë edhe shëndetësinë dhe gjithashtu, përgjatë të gjitha sfidave zhvillimore përfshirë edhe arritjen e mbulimit shëndetësor universal.

Ai tha se qasja e përbashkët për të ndërmarrë aksione do të ndihmojë në arritjen e objektivave dhe eliminimin e pabarazive, sidomos në një sektor të shëndetësisë .

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë tha se kjo organizatë është e përkushtuar që të mbështes Ministrinë e Shëndetësisë në zbatimin e reformës shëndetësore dhe në këtë aspekt, sektori farmaceutik është një hallkë shumë e rëndësishme dhe esenciale që të funksionojë sa më mirë, me transparencë dhe llogaridhënie.

Një prezantim rreth instrumentit vlerësues “Transparenca dhe llogaridhënia në Sistemin Farmaceutik” e ka prezantuar zyrtarja teknike e OBSH-së nga Gjeneva, znj. Deirdre Dimancesco, kurse hulumtimin e bërë nga ekspertët e farmacisë Arianit Jakupi e Shkumbin Spahija, e ka prezantuar z. Jakupi, i cili ka prezantuar të gjitha aspektet e hulumtimit përfshirë qasjen në informacione, kodin e mirësjelljes, hulumtimet klinike, legjislacionin, regjistrimin e barnave, procesin e selektimit të tyre, politikat nacionale të barnave, inspektimin, promovimin, ri-licencimin, etj, duke theksuar edhe të metat, pore dhe përparimet në sektor.

Ai ka theksuar se nga rezultatet e këtij mjeti vlerësues, hulumtuesit kanë gjetur të dhëna shumë interesante që nga ato teknike deri te ato profesionale duke identifikuar pikat e forta dhe të dobëta të sistemit që do t’i mundësojnë MSh-së përcaktimin e prioriteteve dhe kohën për kryerjen e tyre për një sistem sa më të qëndrueshëm farmaceutik.

Në fund, Ministri Rrahmani ka thënë se MSh-ja do ta këtë parasysh hulumtimin, të cilin e sheh si një instrument që ndihmon në adresimin e problemeve dhe hartimin e politikave adekuate për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e sektorit farmaceutik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme