Tre kickboksierë kosovarë sigurojnë gjysmëfinalen në Kupën Botërore “Turkish WAKO World Cup”

Prishtinë | 15 Maj 2026 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në Kick Box po merr pjesë në Kupën Botërore Turkish WAKO World Cup, e cila po zhvillohet në Antalya me pjesëmarrjen e 43 shteteve dhe 2,985 garuesve nga e gjithë bota.

Sportistët kosovarë kanë arritur rezultate të rëndësishme në ndeshjet kualifikuese, duke siguruar plasmanin në gjysmëfinale në kategoritë e tyre përkatëse.

Në konkurrencën e seniorëve, Artor Mehmeti në kategorinë -71 kilogramë siguroi gjysmëfinalen pas një paraqitjeje bindëse dhe fitoreje me rezultat të pastër 3:0.

Po ashtu, edhe Nart Mehmeti në kategorinë junior -71 kilogramë triumfoi me rezultat 3:0, duke siguruar vendin në mesin e katër më të mirëve të turneut.

Ndërkohë, Art Dulaj në kategorinë junior -67 kilogramë avancoi në gjysmëfinale pas një fitoreje spektakolare me nokaut (KO), duke dëshmuar formë të lartë sportive dhe përgatitje të shkëlqyer.

Këto rezultate konsiderohen sukses i rëndësishëm për kickboksin kosovar dhe një prezantim dinjitoz i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Të ngjashme