Tri nivelet e arsimit, jashtë standardeve të plota të mësimit

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 08:51 | Nga

Viti i përfunduar shkollor parauniversitar 2016-2017 në të tria nivelet e arsimit të Komunës së Prishtinës është përcjellë me mungesa të shuma të nxënësve. Por edhe të mësimdhënësve, me sukses jo të dëshirueshëm në mësim, me qindra orë të humbura mësimore dhe, me numër të madh nxënësish të panotuar në lëndë të ndryshme, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këto të dhëna janë konfirmuar në Raportin zyrtar për suksesin dhe rezultatet e nxënësve në tria nivelet e arsimit parauniversitar për vitin e kaluar shkollor, të Komunës së Prishtinës, ku ndër të tjera thuhet se sistemi i arsimit në Kosovë, që nga viti 1999 e deri tashti po ballafaqohet me sfida dhe peripeci të shumta, në shumë dimensione, ndërsa ende nuk po mund të arrijë një standard të dëshiruar që garanton zhvillim, përparim dhe stabilitet të qëndrueshëm.

“E gjithë kjo është si pasojë e politikbërësve-vendimmarrësve të këtij sektori, si edhe mungesës së mekanizmave profesionale për mbikëqyrje dhe mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e programit-planit mësimor, legjislacionit në fuqi dhe projekteve të planifikuara nga niveli qendror. Këtë gjendje e ka nxjerr në pah edhe vlerësimi ndërkombëtar PISA, ku Kosovën e rangon ndër vendet e fundit sa u përket rezultateve në të tria fushat e përfshira në vlerësimi (lexim, matematikë dhe shkencë), krahasuar me të gjitha vendet dhe ekonomitë e tjera pjesëmarrëse”, thuhet në raportin e hartuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit e Prishtinës.

Të ngjashme