Trumpi jep urdhër që të sulmohen anijet iraniane, nëse ato i pengojnë anijet amerikane

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se i ka udhëzuar forcat detare që të hapin zjarr ndaj çfarëdo anijeje iraniane që i ngacmon ato forca në det.

Ky vendim erdhi një javë pasi 11 anije të vogla të Forcave Revolucionare të Iranit iu afruan në mënyrë të rrezikshme anijeve amerikane në Gjirin Persik, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

“I kam udhëzuar Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara që t’i sulmojnë dhe t’i shkatërrojnë cilatdo anije iraniane, nëse ato i pengojnë anijet tona në det”, shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në Tëitter disa orë pasi Irani e lëshoi në orbitën e Tokës një satelit ushtarak.

Postimi i tij erdhi në kohën kur tensionet mes dy vendeve po tensionohen përsëri për shkak të lëshimit të satelitit nga ana e Iranit, të cilin Shtetet e Bashkuara e cilësojnë si maskim për zhvillimin e raketave balistike.

Uashingtoni thotë se lëshimi i këtyre satelitëve bie në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për raketat balistike.

Zyrtarët amerikanë dyshojnë se lëshimi i satelitëve të tillë mund ta ndihmojë Iranin që të zhvillojë raketa balistike ndërkontinentale, të cilat mund të bartin edhe armë bërthamore.

Të ngjashme