Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama pas dëbimit të ambasadorit iranian në Tiranë dhe një diplomati tjetër.
SHBA përgëzon Shqipërinë për dëbimin e dy diplomatëve iranianë
Trump ka përgëzuar Ramën duke thënë se “Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda”.
Letra është bërë publike nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
“E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik”, lexohet në statusin e Ambasadës Amerikane.
Ndërsa kjo është letra e Presidentit Trump:
“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”.