Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, tha se ish-drejtori politik i UÇK-së, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dhënë “kontribut të rëndësishëm” në një qëllim “të përbashkët kriminal” për të cilët gjykatësit thanë se u bindën.
“Në lidhje me zotin Thaçi, Trupi Gjykues konstatoi se zoti Thaçi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të pëbrashkët”, tha ai.
Smitha tha se “Hashim Thaçi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe si shef i drejtorisë politike, ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët”.
Kryegjykatësi tha se “Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime”.
Aty u përmend edhe vrasja e Behajdin Hallaqit dhe Shaban Shala.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po dëgjojnë dëgjojnë arsyetimin e aktgjykimit, të cilin po e kumton kryetari i Trupit Gjykues në këtë rast, Charles Smith.
Vendimi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së pritet në fund të një gjykimi që ka shkuar shumë përtej kuadrit ligjor. Në Kosovë, ku ish-guerilasit mbeten heronj, kjo gjykatë speciale rihapi plagët e luftës.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u arrestuan dhe u dërguan për në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Që atëherë, ata qëndran në paraburgim dhe para një procesi të stërzgjatur gjykimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës, periudhë për të cilën ata thanë se ndjehen më së shumti krenar.
Aktakuza i bënte përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për një sërë krimesh që pretendohej se ishin kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzonte ata se kishin qenë ose duhej të kishin qenë në dijeni të këtyre krimeve të pretenduara.