“Sfidat e arsimit dhe kërkimit në kohën e diversitetit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë – eliminimi i barrierave të bashkëpunimit”, ishte tema e tryezës, organizuar nga UBT-ja, të premten, e cila ngjalli debat të gjatë dhe përmbajtjesor.
Tryeza është organizuar në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore. Me pjesëmarrje të drejtoreshës së Departamentit të Arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Drita Kadriu, rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, rektorëve të universiteteve e kolegjeve private e publike si ai i Mitrovicës “Isa Buletini”, i Gjilanit “Kadri Zeka”, I Gjakovës, “Fehmi Agani”, Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM), Kolegji Universi, Kolegji “Humanistika”, si dhe përfaqësuesit e partnerëve zhvillimorë dhe donatorëve (USAID, World Leanring, Erasmus +), tryeza ka nxjerr në pah se çka duhet ndryshuar me qëllim që në të gjitha nivelet e Arsimit të lartë, gjërat të jenë në hap me kohën dhe me sistemet e përparuara të arsimit të lartë.
Udhëheqësi i tryezës, njëherësh, koordinator i Institutit për çështje akademike në UBT, në hapje të tryezës, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të konkurrencës në arsim, e cila e bënë më sfidues procesin e arsimit të lartë. Këtë e ka lidhur edhe me partneritetin ndërkombëtar, ku dinamika e zhvillimit të arsimit është mjaft e lartë. Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ndërkaq, duke folur për përvojën e UBT-së 15-vjeçare, organizmin e Akademisë Verore për të pestin vit me radhë dhe me 15 programe, për pjesëmarrjen 500 studentëve e 150 profesorëve vendës e ndërkombëtare, edhe simbolikisht ka treguar për dinamikën që po zhvillohet në UBT.
Po ashtu ka treguar për bashkëpunimin me institucionet vendëse e ndërkombëtare, për partneritetin me 200 institucione ndërkombëtare të arsimit të lartë, për projektet, fondet etj.
Drejtoresha e Arsimit të Lartë në MAShT, Drita Kadriu, ndërkaq, është fokusuar në paragjykimet se kuadrot duhet të jenë vetëm me grada të larta akademike, ndërsa ka treguar edhe për faktin që Kosova nga viti 2001 ka zbatuar rregullat e Bolonjës. Sipas saj, Kosova ka mjaft ligje e akte nënligjore rreth arsimit të lartë dhe se nuk ka diskriminim të institucioneve të arsimit të lartë publik në raport me ato private. Gjëja që, sipas saj, duhet t’i kushtohet rëndësi është përshtatje e drejtimeve më tregun e punës.
“Kosova ka një ekonomi ende të pazhvilluar. 70 për qind e tregtisë lidhet me shërbime, ndaj është goxha e vështirë lidhja e studimit me tregun e punës”, ka thënë ai, për të shtuar se në këtë drejtim ka lëvizje pozitive.
“Vjet në fakultetet publike juridik dhe ekonomik janë regjistruar 30 për qind më pak student. Ata kanë shkuar në drejtimet teknike dhe kjo duhet kuptuar si një lëvizje të lidhjes së programeve të studimeve me nevojat e tregtisë”, ka thënë ajo. Nga kolegjet private të arsimit të lartë ka pasur vërejtje se ato nuk trajtohen njëjtë nga institucionet e arsimit, gjë që e ka mohuar Kadriu e MAShT-it.
Njëri nga përfaqësuesit e kolegjeve private të arsimit të lartë, Dukagjin Sokoli “Universum”, ka kundërshtuar emërtimin e njëjtë kolegje, si për shkollat e mesme ashtu edhe për institucionet e arsimit të lartë.
Charlene Muller, përfaqësuese e IBCM-së, ka thënë se janë për të afruar mundësi partneriteti, ndërsa ka shtuar se për këtë duhet motivi i njerëzve për ide të reja dhe bashkëpunimi.
“Ashtu siç i krijojmë resurset, ashtu duhet të krijojmë edhe ide të reja”, ka thënë ajo. Në vazhdim është diskutuar për problemet e kuadrove, të akreditimit të programeve, të kontrollit të cilësisë në arsim, të përcjelljes së profesorëve, për ngritjen e imazhit të arsimit në përgjithësi, për marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e shkencës, për Bordin Këshilldhënies në arsim, për zhvillimin e mendimit kritik, të shkencës e teknologjisë etj.
Në përgjithësi, tryeza ka nxjerr në pah shumë problem, por krejt në fund, rektori I UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se megjithatë, arsimi në Kosovë ka bërë një përvojë të mirë dhe ka janë bërë shumë zhvillime pozitive.
Ai është angazhuar që tryeza të tilla të mbahen edhe në universitetet e tjera, në mënyrë që gjithnjë të përmirësohet ajo që mundet, që të arrihet niveli i arsimit të lartë, si në shtetet me më shumë traditë.