Turbinat e Kosovës B do të modernizohen, Kurti: S’do të ketë më nevojë për riparime të shpeshta

Prishtinë | 07 Pri 2023 | 14:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe General Electric (GE) kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B, raporton Ekonomia Online.

Marrëveshja u cilësua shumë e rëndësishme edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm.

Kurti ka thënë se falë kësaj marrëveshjeje, kapaciteti i termocentralit do të rritet e s’do të ketë më nevojë për riparime të shpeshta. Njësitë e termocentralit, sipas tij janë përdorur përtej kufijve të tyre të funksionimit e barrën më të madhe e ka pasur pikërisht Kosova B.

“Jemi këtu për ta shtruar rrugën legjislative dhe strategjike për sektorin e energjisë. Nënshkrimi i sotëm shënon një ngjarje të rëndësishme për një ndër shtyllat kryesore të energjisë në Kosovë, KEK-un”.

“Njësitë e termocentralit filluan të konstruktoheshin para më shumë se gjashtë dekadash. Që atëherë, ato na kanë ofruar stabilitet në furnizimin me energji të vendit. Madje, ato janë shfrytëzuar përtej kufijve të tyre të funksionimit. Shpeshherë edhe KEK-u na ka thënë se rrezikohen që të mos funksionojnë më. Kosova B si termocentrali më i ri e ka bartur më së shumti ketë peshë. Ceremonia e sotme është një ndër hapat më të rëndësishëm për t’ia hequr këtë barrë, ta rrisim sigurinë tonë të furnizimit dhe stabilitetit të sektorit të energjisë”.

“Rëndësia e modernizimit nuk mund të theksohet aq sa duhet. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 në 17 megavat. Nuk do të ketë nevojë për riparime të shpeshta, do të nevojiten njëherë në tetë apo nëntë vite”.

“Tashmë kemi filluar procesin e parkut të energjisë diellore 100 MW në KEK dhe ndërtimin e ngrohjes qendrore diellore për Prishtinën, nga e cila do të përfitojnë rreth 60 mijë qytetarë. E kemi nënshkruar dhe kemi filluar punën për ndërtimin e kapaciteteve të akumulimit të energjisë, të cilat do të sigurojnë që ne të mund të përdorim sa më mirë kapacitetet tona ekzistuese dhe të reja prodhuese. Kemi siguruar mbi 400 milionë euro grante për të rritur efikasitetin, për të forcuar sektorin tonë dhe për të rritur kapacitetet tona prodhuese. Dhe ajo që mund të jetë pjesa më ngazëlluese, është se këto kapacitete do të ndërtohen në skema konkurruese.”, tha Kurti.

Ai gjithashtu shtoi se në fund të muajit do të lansohet ankandi i parë i energjisë në Kosovë me kapacitet 100 MW.

“Në fund të këtij muaji do të lansojmë ankandin e parë të energjisë në Kosovë në tokë publike me kapacitet 100 MW. Dhe së shpejti do të pasojnë edhe shumë skema të tjera të tilla konkurruese. Të gjitha këto së bashku do të sigurojnë efikasitet dhe qëndrueshmëri më të madhe jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ekonominë tonë dhe për sigurinë tonë kombëtare. Ngjarja e sotme luan një rol edhe në këtë. Nuk mund të jemi thjesht të kënaqur me infrastrukturën që kemi tashmë. Përkundrazi, mirëmbajtja e përgjegjshme e pronës publike dhe e aseteve tona energjetike – si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit të tyre – është një domosdoshmëri”, tha Kurti.

Shefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se do të investohen pothuajse 50 milionë euro në modernizimin e turbinave të avullit, me ç’rast do të rritet efiçenca dhe do të ulet kostoja.

“Njësitë e termocentralit janë shtylla kurrizore e prodhimit të energjisë dhe performanca e tyre është kritike. Kosova B1 dhe B2 janë duke operuar qe nga vitet ’83 dhe ’84. Pra, janë më të vjetra se disa nga ne këtu”, tha ai, raporton EO.

“Do t’i investojmë 47.9 milionë euro që të modernizohen dy turbina të avullit në Kosovën B, me teknologjinë më të fundit. Kjo do ta rrisë efiçencën dhe do ta ulë koston. Modernizimi do ta rritë edhe jetëgjatësinë e njësive”.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm rajonal i General Electric, Simon Glover, ka thënë se kompania e tij është e lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit më shumë se gjashtë dekadash me KEK-un.

“Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë që gjashtë dekada dhe jam i lumtur që po e vazhdojmë sërish. Tani është koha që të përmirësohet performanca e termocentralit, efiçenca dhe të ulen emisionet”, tha ai.

Të ngjashme