Forcat e sigurisë në Turqi kanë arrestuar 130 ushtarë të mërkurën gjatë operacioneve të përqendruara në provincën perëndimore të Izmirit. Ata dyshohen për lidhje me organizatën e klerikut Fetullah Gylen, të cilin pushteti turk e akuzon për organizimin e puçit të dështuar më 2016.
Operacionet për arrestimin e ushtarëve u zhvilluan në 47 provinca të shtetit. Vetëm Zyra e Kryeprokurorit Publik në Izmir ka lëshuar fletarrestime për gjithsej 148 të dyshuar, 103 prej të cilëve janë në detyrë.
Një kolonel, disa lejtnantë, majorë, kapitenë dhe rreshterë janë në mesin e ushtarakëve që po kërkohen në operacionet e policisë, pas dyshimeve për praninë e celulave të organizatës së Fetullah Gylenit në Forcat e Armatosura, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Nga të dyshuarit, dymbëdhjetë janë pjesëtarë të forcave tokësore, 47 pjesëtarë të forcave ajrore, 18 pjesëtarë të forcave detare, 38 nga xhandarmëria dhe 19 nga rojat bregdetare.