Zhvillimi ekonomik i vendit luan megjithatë një rol të rëndësishëm në debatin për ndryshimin e kushtetutës së Turqisë, për të aplikuar në Turqi një sistem presidencial. Presidenti Rexhep Tayyip Erdogan ia dedikon një pjesë të madhe të suksesit të tij rritjes së fortë të ekonomisë turke në vitet e shkuara. Por së fundi lajmet negative nga ekonomia janë shtuar.
Produkti Kombëtar Bruto i Turqisë vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare u rrit me 2,9 përqind krahasuar me një vit më parë. Rritja ekonomike qe në këtë mënyrë shumë më e ulët se në vitin 2015, kur shifra para presjes ishte një gjashtë. Shkak për këtë rënie ka qenë ndër të tjera rënia në sektorin e turizmit për shkak të përpjekjes për puç në verë 2016 dhe prej disa atentateve të kurdëve dhe islamistëve militantë. Sektori i turizmit është një burim i rëndësishëm të ardhurash për Turqinë dhe kontribuon në pesë përqind të PKB. Vitin e kaluar, të ardhurat në këtë sektor ranë me rreth 30 përqind.
Zyra e statistikave korrigjon përllogaritjet
Analistët patën pritur një zhvillim edhe më të ulët ekonomik – përballë problemeve politike e ekonomike. Por konjukturën e mbështeti para së gjithash konsumi privat, të cilin qeveria e mbështet masivisht që prej puçit të dështuar. Kësaj i shtohet që Zyra turke e Statistikave i korrigjoi përllogaritjet e saj në atë mënyrë, që shifrat e reja të rritjes të dalin më të mëdha. Rritja e mëparshme e Produktit Kombëtar Bruto në tremujorin e dytë të 2016-ës u ngrit nga 4,5 në 5,3 përqind; rënia në tremujorin e tretë u korrigjua nga 1,8 në 1,3 përqind.
Në vitin 2017, rritja ekonomike duhet të jetë e ngjashme me një vit më parë. Por në një kohë kur Komisioni Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar presin një rritje midis dy e gjysëm dhe tre përqind, përfaqësues të qeverisë presin një rritje të Produktit Kombëtar Bruto prej katër deri katër e gjysëm përqind.
Inflacioni arrin rekorde
Inflacioni është në nivelin më të lartë që prej më shumë se tetë vjetësh. Çmimet për konsumatorët në mars u rritën krahasuar me një muaj më parë me 11,29 përqind. Ky ishte niveli më i lartë që prej vitit 2008.
Që prej përpjekjes për puç në verë të vitit të kaluar, qeveria turke përpiqet që ta mbështesë konjunkturën që çalon me shumë ligje të reja. Një fond pasurish i posangritur do të ndihmojë në financimin e projekteve me rëndësi strategjike për infrastrukturën. Me një ligj tjetër lehtësohen firmat që u kanë borxhe institucioneve shtetërore. Konsumi privat mbështetet me ndihmën e subvencioneve të interesave publike dhe me përmirësimin e kushteve të pagesës. Veçanërisht blerjet e banesave mbështeten nga shteti, gjë që pasqyrohet edhe në zhvillimin e industrisë së ndërtimit. Në vitin 2016 ky sektor u rrit me mbi shtatë përqind në një masë të madhe.
Situata përreth
Për të financuar rritjen ekonomike, Turqia është në një masë të madhe e varur nga importet e kapitalit. Por që investimet direkte të shtohen, nevojitet stabilitet më i madh ekonomik dhe kushte të sigurta kuadër. Në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike ekziston nevojë e madhe për reforma. Por shteti ligjor vuan pjesërisht nga vendimet e paparashikueshme, jo të kuptueshme të instancave shtetërore. Besimi te drejtësia është tronditur.