Turqia planifikon të rikthejë fluturimet ndërkombëtare me rreth 40 shtete në muajin qershor, dhe deri më tani ka arritur marrëveshje preliminare me 15 shtete, ka thënë Ministri turk i Transportit, Adil Karaismailoglu.
Turqia ka mbyllur kufijtë në kuadër të masave për të luftuar Coronavirusin e ri.
Fluturimet e brendshme janë rikthyer të hënën në disa provinca, teksa Ankaraja ka lehtësuar kufizimet pas rënies së numrit të të infektuarve.
Karaismailoglu ka thënë se fluturimet do të rikthehen në pesë faza në muajin qershor, duke shtuar se Turqia është duke zhvilluar bisedime me 92 shtete për rikthim të udhëtimeve në mënyrë të sigurt.
“Ne besojmë se kemi lënë mbrapa një pikë të rëndësishme në betejën kundër virusit global. Tani duhet të vazhdojmë lidhjet tona globale ashtu sikurse tregtinë”, ka thënë ai në një deklaratë të shkruar.
Gjermania ka thënë të mërkurën se është duke biseduar me Ankaranë për të rishikuar kufizimet në udhëtime, mirëpo është duke pritur një rekomandim nga Bashkimi Evropian.
Në gjithë Turqinë, me Coronavirus janë infektuar më shumë se 165 mijë persona. Prej tyre, 4,609 kanë vdekur.