Kuvendi i Turqisë pritet të shqyrtojë masa ligjore për t’ua hequr imunitetin nga ndjekja penale 21 deputetëve pro-kurdë, duke ia shtuar trysninë një partie politike që është bërë cak i shtypjes për shumë vite dhe tashmë po përballet me thirrje për t’u mbyllur.
Qeveria e akuzon Partinë Demokratike Popullore për lidhje me militantët kurdë dhe i ka shtuar akuzat ndaj saj pas vrasjes së pengjeve turke në Irak këtë muaj. Kjo parti është e treta në Turqi me numër të deputetëve.
Në anën tjetër, Partia Demokratike Popullore e akuzoi partinë në pushtet, AK Parti, për shfrytëzimin e një misioni të dështuar ushtarak për shpëtim që ta sulmojë atë politikisht dhe për të mbjellur përçarje etnike, shkruan Reuters.
Kryetari i Kuvendit, që gjithashtu vjen nga partia në pushtet, Mustafa Sentop, tha se është pikëlluese për organin që ai e drejton që i duhet të merret me aq shumë dosje me akuza si vrasjet, shpërndarjen e propagandës terroriste dhe nxitjen e urrejtjes.
Masa ligjore së pari do të trajtohet nga një komision parlamentar, i cili do të vendosë nëse ato do të dërgohen për votim në kuvend. Nuk dihet se sa do të zgjasë kjo procedurë.
Nëntë deputetë të Partisë Demokratike Popullore po akuzohen për lidhje me protestat e nxitura nga një sulm i ISIS-it në qytezën siriane, Khobani, më 2014. Protestat që rrodhën më pas në Turqi rezultuan me vdekjen e 37 personave.
Për veprimet e kuvendit të Turqisë ka reaguar Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme, Peter Stano, tha këtë javë se Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për trysninë e vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike Popullore në Turqi, përfshirë procedurat ligjore që duket se janë të motivuara politikisht.