Tusk thotë se BE favorizon integrimin e vendeve të Ballkanit

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 17:03 | Nga

Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian, Donald Tusk tha të martën se rruga drejt anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të jetë e vështirë.

Këto komente të presidentit të Këshillit të Evropës erdhën pasi ai filloi një vizitë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar më shumë punë në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton AP.

Të gjitha 28 vendet anëtare të BE-së duhet të pajtohen unanimisht për çdo vend që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Pranimi në BE ka qenë nxitës i fuqishëm i reformës politike dhe demokratike në vendet postkomuniste.

“Jam i vetëdijshëm që ky proces do t’i ngjajë më shumë një gare me pengesa sesa një autostrade, por nuk kam dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët”, tha Tusk në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian njoftoi se është bërë përparim i mjaftueshëm për fillimin e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se dera e Evropës duhet të mbetet e hapur dhe se nuk dëshiron të sheh kthim në gjendje lufte “në këtë rajon jashtëzakonisht të komplikuar”.

Udhëheqësit e BE-së dhe shtetet e Ballkanit do të takohen në Bullgari në samitin që do të mbahet më 17 maj.

Tusk tha se ky samit duhet të gjejë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar lidhjet e bllokut me rajonin e Ballkanit dhe raportet midis vendeve të tij.

“Nuk kam dyshim se është në interesin e BE-së dhe Shqipërisë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë plotësisht i integruar në BE”, tha Tusk.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme