Qeveria e Pakistanit tha se Twitter ka bllokuar llogarinë e një kleriku radikal pakistanez për bërje të deklaratve nxitëse kundër Gjykatës Supreme, kryeministrit dhe ushtrisë, pasi Gjykata Supreme liroi nga dënimi me vdekje një grua të krishterë, të akuzuar për blasfemi.
Autoriteti i Telekomunikacionit i Pakistanit tha se ka kërkuar nga Twitter të pezullojë llogarinë e klerikut Khadim Hussain Rizvi, pasi partia e tij Tehreek-e-Labbaik ka bllokuar rrugët javën e kaluar dhe ka kërcënuar gjykatësit e Gjykatës Supreme që kanë liruar Asia Bibin më 31 tetor.
Autoriteti i Telekomunikacionit tha se Rizvi ka nxitur “urrejtje dhe dhunë”.
Twitter nuk e komentoi ende rastin.
Gjykata Supreme në Pakistan tha se nuk ka pasur prova të mjaftueshme kundër Bibit dhe e liroi atë.
Ajo u arrestua dhe u dënua me vdekje në vitin 2010 për blasfemi.
Është thënë se Bibi gjatë një zënke me disa gra fqinje ka bërë komente ofenduese për Profetin Muhamed.
Lirimi i saj shkaktoi protesta të dhunshme nga komuniteti mysliman në Pakistan.
Autoritetet ngritën raste kriminale edhe kundër qindra protestuesve dhe organizatorëve të protestave.