Tyson Fury: Nga tentim vetëvrasja, droga e alkooli në fronin e mbretit

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Tyson Fury e shënoi mbase triumfin më të madh në karrierën e vet prej boksieri të shtunën mbrëma në Las Vegas, duke bërë një paraqitje madhështore për ta rrahur Deontay Wilderin për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë, edhe pse jo shumë vite më parë ishte buzë vdekjes pas probleme me shëndetin mendor, drogën dhe alkoolin.

Boksieri britanik e rrahu në mënyrë mjeshtërore kundërshtarin e vet amerikan, të cilit ia shkaktoi disfatën e parë në karrierë, madje duke ia prishur rekordin e përkryer prej 41 fitoreve me nokaut nga 42 meçe në përgjithësi

Por kjo nuk ka qenë vetëm hera e parë që Fury ia rrëmben titullin e botës një boksieri legjendar.

Fury e rrëzon nga froni Wladimir Klitschkon më 2015

Fury, si 27-vjeçar në atëbotë, e kishte tronditur legjendën Vladimir Klitschko, duke e mposhtur para plot 50 mijë spektatorëve në Gjermani më 2015, para se t’i jepte fund pushtetit pesëvjeçar të Wilderit si kampion në divizionin WBC.

Fury dhe Wilder u ndan baras në meçin e parë mes vete në dhjetor 2018

Por në periudhën mes vitit 2015 dhe 2020, Fury ishte buzë vdekjes para se të rikthehej në fronin e mbretit. Në një dokumentar me ITV, 31-vjeçari ka zbuluar se më 2016 kishte menduar të vetëvritej.

“Një ditë u zgjova dhe mendova me vete: ‘sot është dita kur do t’i jap fund jetës’. U nisa drejt urës, do ta përplasja makinën në urë me shpejtësi shumë të lartë, sepse nuk kisha më ambicie për të jetuar”, thotë Fury në dokumentar duke kujtuar momentet e akthit.

“Para se të mbërrija te ura, e dëgjova një zë që më tha: ‘mos e bëj këtë, do ta shkatërrosh jetën e familjes tënde’. E ndala makinën menjëherë dhe kjo ishte hera e parë kur mendova: ‘Në rregull, tani o kurrë. Duhet të bëhem mirë menjëherë”, zbuloi ai.

Kështu dukej Fury para se t’i humbte 64 kilogramë për t’u rikthyer në ring

Nga ky moment, jeta e Furyt mori kthesë të rëndësishme dhe ai nisi ta luftojë depresionin, drogën dhe alkoolin.

925 ditë më vonë, ai u rikthye në skenën botërore pasi i kishte humbur plot 64 kilogramë për të luftuar për herë të parë me Wilderin, në dhjetor të vitit 2018, në një meç që u mbyll me barazim kontrovers.

Tani, në rimeçin e shumëpritur mes tyre, Gypsy King u rikthye në fron.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme