U bë lansimi i Raportit për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor në MTI

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 16:00 | Nga

U bë lansimi i Raportit për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, projekt i cili është implementuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe mbështetur nga Projekti i USAID-it “Partneritet për Zhvillim.”

Me këtë rast, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mirëpriti rezultatet e dala nga ky raport dhe theksoi se MTI ka punuar në implementimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në përputhje me obligimet ligjore të përcaktuara me Ligjin për Barazi Gjinore dhe kërkesat e bëra nga Ministria e Financave në qarkoret buxhetore të këtij viti dhe më herët.

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është një strategji përmes së cilës perspektiva gjinore aplikohet në gjithë ciklin e planifikimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxheteve qeveritare dhe politikave ekonomike, tha ministrja. Ajo shtoi se BPGj-ja përbën një detyrim ligjor për të gjitha institucionet publike në Republikën e Kosovës, sepse mund të lehtësojë më mirë planifikimin e bazuar në performancë me qëllim që të përmbushen të gjitha nevojat e kosovarëve.

“Fushëveprimtaria e MTI-së është mjaft e gjerë, dhe politikat e udhëhequra nga kjo ministri ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet tregtare dhe industriale dhe përgjithësisht në ambientin e të bërit biznes në vend” tha ministrja, dhe vazhdoi se “është shumë me rëndësi që nga kjo politikë-bërje të dalin përfituese të gjitha kategoritë shoqërore përfshirë edhe elementin gjinor, duke përfituar nga lehtësitë dhe qasja e barabartë në të gjitha proceset që nga themelimi i biznesit, punësimi dhe promovimi në punë në kuadër të institucionit e deri te përfitimet tjera që rrjedhin si rezultat i politikave tregtare dhe industriale, krijimi i legjislacionit, zonave ekonomike dhe parqeve industriale, etj.

Ministrja Bajrami theksoi se MTI e mbështet pa rezervë implementimin e mëtejmë të kësaj praktike të mirë të buxhetimit të përgjegjshëm i cili nuk njeh diskriminim në aspektin gjinor dhe ftoi edhe institucionet tjera që ta ndjekin këtë model në mënyrë që buxhetimi të jetë i balancuar dhe reprezentativ për të dyja gjinitë në mënyrë të barabartë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme