U miratua Raporti financiar janar-mars 2018 i Komunës së Podujevës

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 15:59 | Nga

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën miratoi Raportin financiar për tremujorin e parë të vitit 2018, vendimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi dhe disa vendime për dhënien në shfrytëzim të disa pronave të paluajtshme të Komunës.

Sipas një njoftimi, në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunë së Podujevës, e cila u kryesua nga Fatmir Gashi – Kryesues i Kuvendit, e ku morën pjesë edhe anëtarë të ekzekutivit të Komunës, u trajtuan të gjitha pikat, që ishin në rendin e ditës dhe u morën disa vendime.

Lidhur me Raportin financiar për periudhën janar-mars 2018, drejtori për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi në mënyrë të detajuar shpenzimet sipas kategorive buxhetore në tremujorin e parë të këtij viti, duke i krahasuar ato me shpenzimet e të njëjtës periudhë të vitit 2017.

“Shpenzimet e buxhetit për këtë periudhë kanë arritur shumën 3,410,155.00 euro. Për paga janë shpenzuar 2,919.197.00 euro, për mallra dhe shërbime 266,924.00 euro, shpenzimet komunale 77,914.00 euro subvencione 33,978.00 euro dhe investime kapitale 112,14.00 euro. Shprehur në përqindje, janë shpenzuar 16% e mjeteve të buxhetit të planifikuar”, tha drejtori Latifi.

Më tej, Latfi tha se këto shpenzime janë në kuadër të planifikimit për këtë periudhë. “Nëse bëjmë një krahasim të shpenzimeve të kësaj periudhe me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kemi një rritje të shpenzimeve për 5%”.

Ndërsa, të hyra vetanake komunale për periudhën janar –mars 2018, janë realizuar 270,069.00 euro, ose 17% e planit vjetor, por krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017, ka një rënie në arkëtim të hyrave prej 12%.

Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash miratoi Raportin Financiar për periudhën janar-mars 2108.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme