Ura mbi lumin Llap në parkun e qytetit është përuruar të martën. Prerjen e shiritit e ka bërë kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në prani të shumë qytetarëve.
“Me përurimin e kësaj ure, qytetarëve të Podujevës po ua dorëzojmë një objekt shumë të rëndësishëm. Kjo urë, përveç që do të mundësojë një qarkullim më të lehtë qytetarëve, i ka dhënë edhe një pamje të bukur kësaj pjese të qytetit”, ka thënë Agim Veliu.
Ai ka thënë se ky nuk është projekti i fundit që do të realizohet mbi lumin Llap në qytet, pasi sipas tij, shpejti do të fillojnë punimet në ndërtimin edhe të një ure të re dhe rregullimi i pjesës së mbetur të shtratit të lumit.
Në kuadër të projekteve për rregullimin e infrastrukturës, Komuna e Podujevës sivjet ka ndërtuar gjithsej pesë ura.