U tërhiqet licenca 16 mësimdhënësve, Nagavci: Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi

Prishtinë | 16 Jan 2026 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ua ka tërhequr licencën 16 mësimdhënësve. Kështu ka njoftuar ministrja në detyrë e MAShT, Arbërie Nagavci, duke nisur shkrimin me “Ligjshmëri dhe standarde në arsim”.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve. Licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbetet një mekanizëm kyç për garantimin e cilësisë dhe standardeve profesionale në arsim. Për këtë arsye, gjatë këtij mandati kemi miratuar legjislacionin dhe udhëzimet e nevojshme dhe janë realizuar takime nëpër komuna në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të zhvillohet me sukses, transparencë dhe në përputhje me standardet përkatëse.  Pas inspektimit tematik të realizuar nga Inspektorati i Arsimit në një shkollë të Rahovecit është konstatuar mospërfillje e procedurave ligjore. Bazuar në këto gjetje, janë dhënë rekomandime konkrete për institucionet përkatëse, të cilat duhet të zbatohen brenda afateve ligjore ndërsa raporti me gjetje i është dërguar paraprakisht Komunës së Rahovecit. Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij ligjore”, ka shkruar Nagavci.

Ky veprim sipas saj është dëshmi e përkushtimit institucional për zbatimin e ligjit, duke nënvizuar se reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi.

“Ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të proceseve arsimore. MAShTI do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjen në çdo rast të shkeljes, duke garantuar transparencë, barazi dhe integritet institucional. Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi. Ne mbesim të përkushtuar për një arsim cilësor dhe me standarde”, ka shkruar ndër të tjera Nagavci.

Të ngjashme