U tha se mësuesit do të paguhen më shumë në bazë të performancës, reagojnë nga SBASHK-u

Prishtinë | 11 Maj 2022 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Sot gjatë ditës është raportuar se do të ketë lëvizje të pagesave ndaj mësimdhënësve në bazë të përformancës së punës së tyre.

Kështu ka paralajmëruar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci i cili ka deklaruar se në Ligjin për paga pritet të futet një nen i cili parasheh që mësimdhënësve përveç pagës bazë t’u takojë një pagesë në varësisht nga niveli i licencës, shkruan lajmi.net.

Rreth kësaj, për lajmi.net, është prononcuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se kjo çështje është diskutuar në Këshillin Shtetëror të licencimit por edhe në kontratën e kolektivit që është nënshkruar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku edhe është paraparë angazhimi i mësimdhënësve.

“Ajo është thënë dhe është debatuar në Këshillin Shtetëror të licencimit ku jam anëtar unë si përfaqësues i SBASHK-ut, por edhe në kontratën e kolektivit që kemi nënshkruar me MASHT-in, është paraparë angazhimi që mësimdhënësit me rastin e vizitave nga inspektoret profesional, ata që duan të gradohen të avancohen në karrierë kanë të drejtë të paraqiten vullnetarisht, pastaj inspektorët profesional shkojnë i vizitojnë në orët mësimore, bisedojnë me drejtorët dhe me të tjerët, e bëjnë një analizë të përgjithshme të arritjeve të tij”, ka thënë Jasharaj.

Tutje, ai ka shtuar se, mësimdhënësi i plotëson kriteret e caktuara nga ministria, ai do të fitojë një gradë apo një titull të ri në arsim.

“Nëse ai i plotëson kriteret që do t’i caktojë ministria dhe Këshilli shtetëror i licencimit ai do të fitojë një gradë të re, një titull të ri në arsim. Dhe me këtë edhe MASHT-i edhe SBASHK-u është angazhuar që ai pastaj të dallohet jo vetëm me titullin por edhe me lëvizjen në pagë”, ka shtuar i pari i SBASHK-ut.

Me tej, ai vijoi duke thënë se këtë ide, e kanë përkrahur sepse e shohin si një mënyrë të nxitjes për një cilësi më të lartë në arsim.

“E kemi përkrahur këtë sepse mendojmë që do të jetë një nxitje pozitive që të kemi cilësi edhe më të lartë në arsim. E përkrahim dhe besojmë që do të bëhet realitet sepse jemi të interesuar që mësuesit të kenë një nxitje që të jenë më të mirë dhe të angazhohen edhe më shumë”, vazhdoi tutje ai.

Sa i përket kohës se kur mund të aplikohet kjo ide, ai tha se do të ishte mirë sa më shpejt, sepse diçka e tillë do ta ngritë edhe nivelin në arsim por edhe mësimdhënësit nuk do të kenë të gjithë titullin e njëjtë.

“Do të ishte mirë sepse për ta ngritur cilësinë do të duheshin edhe gradimet në mënyrë që të mos mbesin të gjithë mësimdhënësit në të njëjtin titull. Pra gradimet parashihen të merren, por janë disa kritere që duhet të plotësohen, dhe unë jam i sigurt që një pjesë e madhe e kolegëve të mi do të i plotësonin dhe do të fitonin një titull të ri dhe një pagë më të lartë”, përfundoi Jasharaj.

Kujtojmë se, SBASHK-u ka paralajmëruar grevë një orëshe gjatë ditës së nesërme në tërë sistemin arsimor, si arsye për mos realizimin e kërkesave të tyre të mëhershme që kanë të bëjnë me ligjin e pagave.

Të ngjashme