Rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), Edmond Hajrizi, ka nënshkruar, të mërkurën, marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT).
Nënshkrimin nga UPT-ja e ka hedhur prof.dr. Florian Nepravishta, dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) në këtë universitet.
Marrëveshja është nënshkruar në UBT, ndërsa në ceremoninë e nënshkrimit merrnin pjesë edhe rektori i UPT-së – prof. dr. Andrea Maliqari; zv.rektori – prof. asoc. Akli Fundo; dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN) – prof. asoc. Gëzim Hasko; zv. dekani i FAU – dr. Gjergj Islami; përgjegjësi i DA – Daniel Qamo dhe përgjegjësi i DRTA-së – Endrit Tuzi.
Marrëveshja e bashkëpunimit do të jetë pjesë e një përfitimi të përbashkët, në fusha të ndryshme, në interes të dy universiteteve.
Objektivat kryesorë të kësaj marrëveshjeje janë për promovimin kulturor, edukimin, shkëmbimin e mësimdhënies dhe bashkëpunimit maksimal të mundshëm ndërmjet dy institucioneve etj.
Fushat që përfshihen në marrëveshje parashohin vizitat bashkëpunuese ndërmjet stafeve akademike, administrative dhe të studentëve; shkëmbimi i materialeve në edukim, kërkim shkencor; publikime dhe informime akademike; trajnime të përbashkëta teknike dhe administrative; zhvillim të përbashkët në shkëmbime kursesh, praktikash apo programesh mësimore; udhëheqje të përbashkëta doktoratash etj.
Përfaqësuesit e këtyre dy universiteteve, siç u theksua, do të specifikojnë bashkëpunimin në nivel fakultetesh të dy universiteteve.