Kanë mbetur edhe tri ditë nga ngjarja për dhurimin e palltove që do të mbahet në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit të Njeriut, si iniciativë e studentëve të Fakultetit Media dhe Komunikim, organizuar dhe përkrahur nga UBT.
Të enjten, me 20 dhjetor, në ora 11:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, organizatorët e eventit me moton: “Nuk të duhet? Dhuroja dikujt që ka të ftohtë”, ftojnë të gjithë ata që kanë dëshirë dhe mundësi të ndihmojnë me dhurimin e palltove, në mënyrë që secili të ndikojë në mirëqenien e personave në nevojë.
Palltot e mbledhura do të lidhen në drunjtë e shesheve të Prishtinës, por pa i dëmtuar ata, duke mbetur me shpresën se palltot do të merren nga personat që me të vërtetë kanë nevojë për to.
Aktiviteti është i hapur për të gjithë njerëzit që dëshirojnë të bashkohen sepse edhe festat kanë kuptim kur njerëzit përreth nesh janë të lumtur.