UBT: Infermieria shënon të arritura, por përballet me sfida

Prishtinë | 12 Maj 2017 | 17:27 | Nga

Infermieri si profesionist luan një rol shumë të rëndësishëm në shëndetin në tërësi. Madje, sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht 70% e kujdesit shëndetësor ndaj pacientit, është pjesë e punës së infermierit.

Kështu u tha në konferencën në nder të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, e organizuar nga UBT, në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Prishtinë.

Në këtë konferencë që në fokus ka pasur çështjet bashkëkohore të infermierisë, u prezantuan punime të shumta, me anë të të cilave është bërë e ditur se infermieria është një profesion shëndetësor, i përqendruar në kujdesin e individëve, familjeve dhe komuniteteve, në mënyrë që ata të kontribuojnë në shëndetin optimal dhe cilësinë e jetës.

Dekani i Fakultetit të Infiermierisë në UBT, Fitim Alidema ka thënë se infermieria në Kosovë, ka shumë të arritura, por aktualisht po përballet edhe me shumë sfida.

Sipas tij, infermierët duhet të kenë karakter dinamik, në mënyrë që shkathtësitë e tyre të jenë efektive në zbatimin e detyrave.

Drejtori për Çështje Akademike në UBT, Armend Muja ka folur rreth kërkesave ekonomike për profesionet mjekësore shëndetësore, me ç’rast tha se sistemi shëndetësor në Kosovë përballet me mungesë të kuadrove profesionale, e posaçërisht, për infermierë të shkolluar.

Tutje, Muja shtoi se studentët e këtij drejtimi, e sidomos në UBT, do të përgatiten për shërbime të infermierisë në masat preventive, rehabilituese, lehtësuese për individët dhe grupet e shoqërisë.

Në konferencë pjesmarrës ishin edhe dr.Sali Krasniqit nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, për të paraqitur “Përvojat e Kosovës në Qendrën Laparaskopike”, drejtoresha e QKMF-së, në Ferizaj, Ibadete Bucaliu, që ka folur rreth qasjeve moderne për kujdesin mjekësor. Po ashtu, dr.Zaim Gashi nga Qendra Klinike Universitare e Kosovë, dr.Besnik Elshani, nga Klinika e Neurokirurgjisë në QKUK.

Ndërkohë dr.Afrim Avdaj nga Spitali i Përgjishëm i Prizrenit, ka folur rreth kujdesit Infermieror të Pacientëve të sëmurë kirurgjik, dr.Pranvera Ibrahimi, e cila ka paraqitur “Insufiencën Kardiake”, dr.Rexhep Gjyliqi, që ka diskutuar rreth “Infermierisë dhe Mjekimit Intenziv”, Ajshe Leka, nga Qendra e Mjeksisë Familjare në Gjilan, që ka shpalosur njohuritë e infiermierëve lidhur me edukimin dhe zhvillimin e pacientëve me “DiabetusMelitus”.

Derisa studentët në fakultetin e infermierisë në UBT, kanë prezantuar punimet lidhur me rrugët e administrimit të barnave dhe rreth procesit infermieror – kodi i mirësjelljes.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme