Rreth 300 delegatë, përfshirë ministra të financave, ekspertë të lartë qeveritar dhe përfaqësues të biznesit, të komuniteteve profesionale dhe akademike, u mblodhën sot për ta diskutuar rolin që luan informimi financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik, integrimit rajonal dhe global të ekonomive dhe konvergjencës së të ardhurave dhe të standardeve të jetesës ndërmjet vendeve më të varfra dhe më të pasura. Konferenca u zhvillua nën patronatin e Presidencës Austriake të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe u organizua nga Qendra për Reformën e Raportimit Financiar (CFRR)* e Bankës Botërore.
“Bashkimi Evropian ofron shembuj të fuqishëm se si integrimi ekonomik mund të ndihmojë në shtytjen e rritjes në shtetet anëtare më të varfra dhe më të reja. Ndërsa integrimi mund t’i ndihmojë këto shtete për t’i rritur të ardhurat dhe standardet e jetesës, konvergjenca me ekonomitë më të pasura nuk është automatike” tha Cyril Muller, nënkryetar i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore. “Bërësit e politikave duhet t’i pajisin qytetarët dhe ndërmarrjet e tyre për të konkurruar nëpërmjet iniciativave publike transparente dhe efektive për të ndërtuar shkathtësi dhe konkurrencë. Informimi financiar i cilësisë të lartë për sektorin publik dhe privat mund t’u ndihmojë qeverive që t’i realizojnë këto iniciativa me llogaridhënie dhe efikasitet, duke e përmirësuar qasjen në financa.
Duke folur para audiencës në emër të Presidencës austriake të Këshillit të Bashkimit Evropian, Hartwig Loeger, Ministër i Financave të Austrisë, tha “si një partner afatgjatë i CFRR-së, qeveria austriake me ngazëllim e sheh interesimin e fortë dhe nivelin e vazhdueshëm të përkushtimit nga vendet e përfaqësuara sot, për ta realizuar reformën në sistemet e tyre të raportimit financiar të sektorit publik dhe privat. Ministria austriake e Financave kontribuon në avancimin e integrimit më të ngushtë me fqinjët tanë, duke i mbështetur programet e përzgjedhura të Grupit të Bankës Botërore që fokusohen në rajonin e EAQ dhe në Ballkanin Perëndimor në veçanti”.
Pjesëmarrësit e konferencës diskutuan se si vendet mund ta fitojnë besimin e qytetarëve të tyre duke i forcuar institucionet e tyre dhe duke krijuar një mjedis rregullator që e lehtëson konkurrencën e drejtë dhe të hapur, e zvogëlon barrën e panevojshme për biznesin, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, e lehtëson qasjen në financa, dhe i ofron shërbimet e nevojshme publike në mënyrë efikase. Menaxhimi efektiv financiar dhe qeverisja e mirë në sektorin privat dhe në atë publik ndihmojnë që institucionet të bëhen më transparente, të përgjegjshme dhe të besueshme.
Bërësit e politikave janë të vetëdijshëm për rolin e tyre në përqafimin dhe zbatimin e kornizave ligjore dhe rregulloreve efektive. Diskutimi në panel të nivelit të lartë me Ministrat e Financave nga Kosova dhe nga Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë i konfirmoi mesazhet kryesore të konferencës dhe i diskutoi nismat specifike që janë në proces.
Duke folur për përvojën e fundit të vendit të tij, Bedri Hamza, Ministër i Financave të Kosovës, tha se “rihartimi i ligjit për kontabilitetin, auditimin dhe raportimin financiar në aso mënyre që e pasqyron mjedisin dhe kushtet lokale, ishte një arritje e madhe për Kosovën, dhe ka përpjekje të vazhdueshme për ta forcuar kapacitetin e Institucionit Mbikëqyrës të Kosovës dhe për ta ngritur një sistem për sigurimin e cilësisë”.
Dragan Tevdovski, Ministër i Financave i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, theksoi se “vendi e ka miratuar legjislacionin e ri të auditimit që e krijoi një institucion profesional për auditorët statusor dhe inicioi një sistem të sigurimit të cilësisë për profesionin e auditimit, të cilat janë arritje të shkëlqyeshme. Ndryshimet e vazhdueshme të Ligjit për kryerjen e shërbimeve të kontabilitetit dhe puna për ta forcuar kapacitetin e Institutit të Kontabilistëve dhe të Kontabilistëve të Certifikuar janë lartë në agjendën tonë të prioriteteve me qëllim të përmirësimit të cilësisë së informimit financiar në vendin tonë”.
Diskutimet përfshinë edhe ndikimin e inovacionit digjital në gjenerimin, shpërndarjen, verifikimin dhe shfrytëzimin e informacionit financiar; mundësitë e reja për të krijuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie në sektorin publik dhe privat; dhe rolin që e luajnë standardet ndërkombëtare në integrimin ekonomik dhe financiar.
*Ngjarja u organizua si pjesë e programeve për kontabilitetin dhe raportimin në sektorin publik (PULSAR), Rruga drejt Evropës: Programi i Reformës në Kontabilitet dhe i Forcimit Institucional (EU-REPARIS), dhe Forcimi i Auditimit dhe Raportimit në Vendet e Partneritetit Lindor (STAREP). Këto programe mbështeten nga Bashkimi Evropian, Agjencia Austriake për Zhvillim, Ministria Federale e Financave e Austrisë dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështjet Ekonomike. Programet rajonale i mbështesin praktikat më të mira të raportimit financiar në sektorët privat dhe publik, në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e Partneritetit Lindor dhe BE. Konferenca Ministrore u zhvillua një ditë pas një punëtorie të përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Lindore për ta diskutuar progresin në reforma dhe mësimet e nxjerra në fushën e raportimit financiar.