Denveri pas një dekade në rrethin e dytë të plejofit

Prishtinë | 29 Pri 2019 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Koha po skadonte dhe basketbollistët e San Antonio Spursit nuk po mund të dëgjonin thirrjen e trajnerit që dikush të faulojë, pasi kishte zhurmë të madhe.

Kjo ishte meritë e tifozërisë së Denverit.

Denver Nuggets sërish po bën zhurmë në NBA.

Nikola Jokiq realizoi një dyshifror të trefishtë tjetër, Jamal Murray realizoi dyshe 36.8 sekonda para fundit dhe Denveri arriti të triumfojë 90:86 të shtunën mbrëma për të mbyllur serinë e raundit të parë të plejofit ndaj San Antonios me 4:3. Është hera e parë në një dekadë që Denveri kalon raundin e parë në plejof.

“Më ka pëlqyer ajo kurajë, fortësia me të cilën kemi luajtur. Edhe kur ata u futën në seri nga fundi, ne kurrë nuk humbëm kontrollin”, ka thënë trajneri i Denverit, Michael Malone.

Denveri kishte krijuar një epërsi prej 17 pikëve në çerekun e tretë, por me shumë mund siguroi fitoren në fund.

Jokiq përfundoi ndeshjen me 21 pikë, 15 kërcime e dhjetë asistime, ku asnjë pasim nuk ishte më vendimtar se ai që i dha Murrayt, që realizoi pikët që vendosën takimin. Murray pati 23 pikë gjatë ndeshjes. DeMar DeRozan pati rastin për të zvogëluar disavantazhin, por u bllokua nga Torrey Craig. Ndërsa koha po skadonte, trajneri i San Antonios, Gregg Popovich, po kërkonte të bëhej faul për të zgjatur lojën. Mirëpo brohoritjet e tifozëve ishin aq të zhurmshme, sa që ishte e vështirë që urdhrat të dëgjoheshin nga lojtarët.

Të ngjashme