Inicohen 22 raste në lidhje me mohimin e gjenocidit në Bosnje

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Që nga 28 korriku, kur hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnje e Hercegovinës (BeH) që ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, të vendosura nga ish-përfaqësuesi i lartë, Valentin Inzko, Prokuroria në Bosnje ka iniciuar 22 raste me akuza për këto krime.

Kjo u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga zëdhënësi i prokurorisë, Boris Grubeshiq më 5 gusht.

“Pas publikimit të vendimit të përfaqësuesit të lartë deri më sot, në Prokurori të Bosnjës dhe Hercegovinës gjithsej 22 raste janë hapur në bazë të raportimeve për mohimin e gjenocidit”, tha Grubeshiq.

Shkelja e këtij ligji dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet.

Përfaqësues të Republika Sërpskës nisën më 26 korrik bojkotimin e institucioneve qendrore të Bosnjës, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.

Pas vendimit të Inzkos dhe përpara vendimit për bllokimin e institucioneve shtetërore, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, tha se Republika Sërpska “duhet të fillojë procesin e shpërbërjes”.

Pastaj, më 30 korrik, Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska (NARS), në një seancë të mbyllur, miratoi Ligjin për moszbatimin e vendimit për ndalimin e mohimit të gjenocidit me procedurë urgjente.

Deputetët po ashtu miratuan ndryshime ligjore në bazë të cilave do të dënohen ata të cilët Republikën Sërpska e thërrasin si “krijim gjenocidial”.

Të ngjashme